Ish-Presidenti i SHBA-ve, Dwight D.Eisenhower, pati tre takime sekrete me alienët, pretendon një zyrtar që shërbeu si këshilltar i tij përgjatë dy mandateve, në vitet 1953-61.
Presidenti i 34 në historinë amerikane u takua me jashtëtokësorët në një bazë ajrore të largët në Nju Meksiko në vitin 1954, zbulon Timothy Good, në një libër që rrëfen “sekretin e madh”.
Sipas tij, Presidenti dhe zyrtarët e FBI-së organizuan takimin me krijesat e përparuara, nëpërmjet dërgimit të mesazheve telepatike.
Ndonëse dëshmitarët ishin të shumtë, sipas Good ata u betuan të ruanin sekretin shtetëror dhe ndikimi i CIA-s dhe FBI-së ka ndihmuar në mosdaljen e së vërtetë në dritë.
Më pas, kanë ndodhur edhe dy takime të tjera midis Presidentit dhe alienëve, pretendon Good, një ish-këshilltar i Kongresit dhe Pentagonit.
Duke folur në një program të BBC-së, ai pretendoi se “qeveritë e ndryshme nëpër botë dhe njerëz të shumtë kanë vendosur kontakte formale apo informale me jashtëtokësorët”.
Eisenhower, një gjeneral gjatë Luftës së Dytë Botërore, është i njohur për pikëpamjet e tij liberale mbi ekzistencën e formave të tjera të jetës në galaksi.
Megjithatë, Good pranoi se nuk është në dijeni të përmbajtjes së bisedave midis Uashingtonit zyrtar dhe “ambasadorëve” alienë.
Ai përfundoi intervistën e tij duke shprehur habinë përse e vërteta e ekzistencës së alienëve vazhdon të konsiderohet si një sekret i madh, kur me miliona persona tashmë kanë parë ose kanë patur persona me ta, duke konfirmuar njëkohësisht edhe synimet paqësore të jashtëtokësorëve.
Top Channel