Madagaskar, shkatërrime masive nga “supercikloni”

14/02/2012 15:30

Një ciklon tropikal me një forcë të pazakontë ka goditur të martën brigjet e Madagaskarit në Afrikë, ku erërat me shpejtësi deri 194 kilometra në orë kanë rrëzuar shtyllat e elektricitetit dhe shkulur pemët.

Makinat e shërbimeve të emergjencës ndodhen jashtë kryeqytetit, Antananarivo, por me rrugët që janë bllokuar nga pengesa të ndryshme, janë të paafta t’i shërbejnë banorëve në vështirësi.

Sipas metereologëve, është e pritshme që dëmet të jenë po aq të këqija si në vitin 1994, kur një tjetër ciklon vrau 200 persona dhe 40 mijë të tjerë mbetën të pastrehë.

Për momentin, është konfirmuar vdekja e vetëm një personi, pasi një shtyllë e zuri përfund.

Me shumë qytete të vendit të varfër afrikanë që janë të ndërtuar në pjesën e tyre më të madhe nga kasolle aspak të qëndrueshme, pjesa më e madhe e popullsisë është dukshëm e ekspozuar nga rreziqet e ciklonit Giovanna.

Megjithatë, autoritetet i kanë bërë thirrje banorëve në zonat që presin mbërritjen e ciklonit që të zhvendosen në godina, si qëndra pune, zyra apo shkolla, ku strukturat e fuqishme mund t’i ofrojnë më tepër mbrojtje.

Ndërkohë, në alarm është vendosur edhe Mozambiku, vend që pret edhe ai të goditet nga cikloni në orët në vazhdim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA