Francë, fushata zgjedhore e Sarkozy

14/02/2012 16:00

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, do të nisë fushatën e tij për një mandat të dytë presidencial ditën e mërkurë, nëpërmjet një bashkëbisedimi në një program televiziv.

Vetëm dy muaj larg zgjedhjeve, shanset për t’u rizgjedhur nuk paraqiten të mira për 56-vjeçarin, i mbetur pas me një diferencë të konsiderueshme në sondazhe, përballë socialistit Francois Hollande.

Sipas ekspertëve, Sarkozy do të përpiqet të argumentojë se nuk është e mirë për vendin që të ndryshojë drejtimin e tij në një periudhë krize, në të njëjtën kohë që do të përpiqet të paraqitet si një ekonomist i zoti.

Përfaqësuesja e ekstremit të djathtë, Marine le Pen dhe kandidati i qëndrës së bashkuar, Francois Bayrou, pritet të jenë gjithashtu kandidatë të fortë në garën presidenciale.

Mediat franceze vlerësojnë se Sarkozy ka shtyrë nisjen e fushatës, për t’u dukur si një president i përqendruar në zgjidhjen e krizës ekonomike dhe jo në fushatën e tij personale, por këshilltarët e tij i kanë bërë të qartë se nëse do të vononte edhe më shumë nisjen e fushatës, avantazhi i Hollande mund të bëhej i pakthyeshëm.

Në historinë e zgjedhjeve në Francë, asnjë president nuk është rizgjedhur, kur ka patur një disavantazh si ai i Sarkozy në sondazhe, dy muaj përpara fillimit të zgjedhjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA