Abu Qatada, i akuzuar si ekstremisti më i rrezikshëm në Mbretërinë e Bashkuar, është liruar nga burgu i sigurisë së lartë Long Lartin, në Evesham.
Ai është shfaqur duke fshehur fytyrën e tij teksa linte burgun në një furgon mbrëmjen e së hënës. Qeveria britanike ka deklaruar se ai përbën një rrezik për sigurinë kombëtare, por ka dështuar në dëbimin e tij në Jordani.
I përshkruar nga një gjyqtar spanjoll si lideri shpirtëror i muxhaheidinëve në Britani, autoritetet britanike kishin deklaruar më parë se ai u kishte dhënë këshilla personave që synonte t’i angazhonte në sulme terroriste, madje edhe në atentate vetëvrasëse.
Qatada është shfaqur gjithashtu në predikime mbi urrejtjen në disa video të gjetura në shtëpinë e një prej atentatorëve të 11 shtatorit dhe ishte dënuar në mungesë në Jordani për përfshirje në komplot terrorist.
Një gjyqtar i dha fund burgimit të tij 6-vjeçar javën e kaluar, pasi Gjykata evropiane e të Drejtave të Njeriut e shpëtoi atë nga ekstradimi në Jordani.
Gjykata deklaroi se provat e siguruara me anë të torturës mund të përdoreshin kundër klerikut në këtë vend. Britania dhe Jordania më parë kishin nënshkruar një marrëveshje që parashikonte mos torturimin nëse Qatada ekstradohej.
Lordi liberal-demokrat Carlile, duke komentuar ngjarjen, deklaroi se mosbesimi i qytetarëve ndaj lirimit të 51-vjeçarit ishte “tërësisht i justifikuar”.
Top Channel