Brazil, vritet botuesi i një gazete

14/02/2012 10:25

Botuesi i një gazete braziliane, që ka denoncuar raste të korrupsionit në shtetin Mato Groso do Sul, ka mbetur i vrarë në një atentat të organizuar ndaj tij.

Policia lokale deklaron se Paulo Rodrigues është vrarë nga një person që po ecte në bordin e një motori në qytetin Ponta Pora, në afërsi të kufirit me Paraguajin.

Rajoni kufitar është i njohur për trafikun e armëve dhe drogës, si dhe për nivelin e lartë të korrupsionit politik. Paulo Rodrigues, 51 vjeç, ishte botues i gazetës “Jornal da Praca” dhe i faqes së internetit emercosulnews.com.

Personi i armatosur qëlloi 12 herë ndaj tij, teksa ishte drejtuar për në Ponta Pora, duke e zënë pesë herë në trup, deklaroi policia lokale. Kolegët e botuesit deklarojnë se motivet e krimit mbeten mister.

“Ai ishte një kritik, por njerëzit e donin. Paulo mbronte të varfërit në qytetin tonë denonconte korrupsionin, por ai respektohej nga autoritetet”, ka deklaruar fotografi Leo Veras për “Associated Press”.

Javën e kaluar një tjetër gazetar brazilian që shkruante për korrupsionin, Mario Lopes, u vra në një atentat në shtetin e Rio de Zhaneiros.

Ai u rrëmbye nga shtëpia e tij në qytetin Barra do Pirai bashkë me të dashurën Maria Aparecida Guimaraes dhe të dy më vonë u gjetën të vrarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA