Bahrein, natë protestash në kryeqytet

14/02/2012 09:15

Përleshje janë regjistruar gjatë natës në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, ku forcat e sigurisë kanë qëlluar gaz lotësjellës dhe granata trullosëse ndaj protestuesve, që ishin mbledhur për 1-vjetorin e nisjes së protestave pro-demokratike në mbretërinë e Gjirit.

Mijëra persona pritet të marshojnë në sheshin Pearl Roundabout, që ishte dhe vatra e protestave të vitit të kaluar, me liderët e opozitës që kanë bërë thirrje për marrjen nën kontroll të tij.

Të paktën 60 persona janë vrarë që prej nisjes së protestave shkurtin e vitit të kaluar. Policia anti-turmë dhe forca të tjera sigurie janë vendosur në Bahrein.

Një banor i fshatit shiit të Sitrës, në rrethinat e Manamasë, tha për BBC se forcat e sigurisë kishin qëlluar gaz lotësjellës dhe granata trullosëse gjatë natës.

Mbrëmjen e së hënës protestuesit avancuan rreth 2 kilometra drejt Pearl Roundabout, para se të shtyheshin mbrapsht nga forcat e policisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne nuk do të ndalemi. Protesta jonë zgjat prej një viti dhe do të vazhdojë për një vit më shumë”, ka deklaruar imami Nader Abdul, që u strehua në një shtëpi për t’i shpëtuar bombave gazlotësjellëse.

Shumica e protestuesve janë nga zonat me shumicë shiite të vendit, të cilat janë ankuar vazhdimisht për diskriminim nga familja mbretërore sunite, Al Khalifa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA