Varfëria në Nigeri është rritur me përmasa galopante, me më shumë se 100 milion persona që jetojnë me më pak se një dollar në ditë, pavarësisht rritjes së vazhdueshme ekonomike në dekadën e fundit.
Zyra Kombëtare e Statistikave publikoi të hënën të dhënat e saj, në të cilën vlerësohet se 61% e nigeriamëve jetojnë në “varfëri absolute”, çka përbën një rritje prej 7% ose 10 milionë persona, që nga viti 2004.
Në raport parashikohej që thellimi i diferencave midis klasave të ndryshme të shoqërisë së vendit më të populluar në Afrikë të vazhdojë.
Nigeria është prodhuesi më i madh i naftës në Afrikë, por korrupsioni vlerësohet si një prej më të lartëve në botë.
Norma e “varfërisë absolute” (nën 1 $ në ditë) tregon kufirin nën të cilin një njeri e ka pothuajse të pamundur të garantojë njëkohësisht nevojat thelbësore për strehim, ushqim dhe veshmbathje.
Numri i të varfërve është në rritje të vazhdueshme për shkak të përqendrimit të të ardhurave në duart e një shtrese të vogël personash, por edhe si rrjedhojë e lindshmërisë më të lartë në zonat e varfëra.
Ndarja është ekstreme midis jugut të pasur me rezerva nafte dhe me vijë bregdetare, e veriut bujqësor, ku për shkak të varfërisë ekstreme, po gjallërohen lëvizje separatiste dhe militantiste, si famëkeqja Boko Haram.
80% e të ardhurave të Nigerisë sigurohen nga eksporti i naftës, e cila shitet e saponxjerrë, për shkak të mungesës së kapaciteteve rafinuese në vend.
Top Channel