Diplomatët e Izraelit në Indi dhe Gjeorgji janë vendosur në qendër të dy sulmeve me bombë nga ana e Shërbimeve Sekrete Iraniane, pretendoi të hënën Tel Avivi zyrtar.
Një shpërthim shkatërroi një makinë të ambasadës në Nju Delhi, duke plagosur një diplomat gjatë javës së shkuar. Sipas policisë vendase, nuk ka prova për një sulm terrorist, ndërsa ngjarja po trajtohet si një aksident.
Njëkohësisht, një bombë u gjet në makinën e një diplomati izraelit në Tbilisi, Gjeorgji, por u çaktivizua përpara se ajo të shpërthente.
Në një deklaratë, Tel Avivi zyrtar shprehte bindjen se pas këtyre ngjarjeve fshihen Shërbimet e Fshehta Iraniane.
”Në të dy këto raste, kemi prova të besojmë se sulmet janë kryer nga shtetas iranianë apo nga aktivistë të Hezbollahut, organizatës së preferuar terroriste të Teheranit”, akuzoi Kryeministri Benjamin Netanyahu, në një takim me zyrtarë të partisë së tij “Likud”.
Duke komentuar ngjarjet, Ministri i Jashtëm i Izraelit njoftoi se tashmë janë identifikuar organizatorët e këtyre sulmeve dhe se pas tyre janë vënë “autoritetet përkatëse”.
Ndërkohë, siguria në ambasadat izraelite është rritur ndjeshëm, për shkak të disa muajsh paralajmërime për sulme të mundshme.
Irani ka akuzuar më parë Izraelin për vrasjen e disa shkenctërëve bërthamorë, në sulme të ndryshme brenda territorit të tij.
Top Channel