Krijimi i shërbimit përmbarimor privat dy vjet më parë ka zgjidhur problemet e bankave me konfiskimin dhe shitjen e kolateraleve të kredive të këqija, por shumë kreditorë të këqij duket se kanë gjetur defekte të tjera në sistem për të shtyrë në kohë likuidimin e detyrimit.
Ekspertë të sistemit bankar tregojnë për gazetën ‘Shqip’ se me një vlerësim të përafërt, rreth 150 milionë euro prona të vendosura si kolateral nuk po shiten dot, për shkak të procedurave të tejzgjatura dhe shpesh spekulative që zhvillohen nëpër gjykata. Bllokimi i këtyre parave shton rrezikun e kreditimit në Shqipëri dhe rrjedhimisht, gatishmërinë e bankave për të dhënë kredi.
Skema
Pasi sistemi i përmbarimit privat u krijua, shumë kredimarrës të falimentuar kanë zbuluar stilin e ankimit në gjykatë të vlerësimit të pronës së tyre të kryer nga përmbarimi privat. Duke qenë se synimi i kreditorëve është shtyrja në kohë e ekzekutimit, nuk ka rëndësi nëse vlerësimi i kryer nga përmbaruesit është i lartë apo i ulët. Vlera e kolateralit është përcaktuar një herë në çastin e marrjes së kredisë, por gjatë viteve të fundit, vlera tregtare e shumë pronave ka rënë. Kredimarrësit kanë mundësi aktualisht të ankohen në gjykatë për masën e vlerësimit të pronës dhe gjykata duhet t’i hyjë një procedure ku një ekspert i pavarur përcaktohet për kryerjen e vlerësimit alternativ. Edhe në rast se kjo procedurë përfundon, kredimarrësi ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit. Këtu, bankat, si të gjithë shqiptarët, detyrohen të presin një deri në dy vjet deri sa Gjykata e Apelit të gjejë kohë për ta marrë në shqyrtim ankimin. Me këtë skemë ligjore, ekzekutimi i kolateralit shtyhet për vite me radhë, gjatë së cilës banka pret të rikuperojë paratë e veta.
Humbjet
Kreditorët e falimentuar që zgjedhin të shkaktojnë vonesa në ekzekutimin e kolateralit kanë gjithashtu humbje, sepse interesat dhe kamatëvonesat e zbatuara nga bankat vijojnë deri në çastin kur kryhet shitja efektive e pronës. Rrjedhimisht, gjendja financiare e kredimarrësit vijon të përkeqësohet. Ndërkohë, bankat rrisin primet e rrezikut, që do të thotë, ajo pjesë e interesit mbi kreditë e rregullta që vendoset për të mbuluar humbjet e mundshme nga kreditë e këqija dhe rrjedhimisht, ekonomia ngadalësohet.
Ndryshe nga problemi i hasur vitet e shkuara me vonesat në ekzekutimin e kolateraleve nga shërbimi përmbarimor shtetëror, ky i riu ngjan më i komplikuar dhe më i vështirë për t’u zgjidhur, pavarësisht fuqisë së ndjeshme politike që bankat zotërojnë në Shqipëri. Kur përmbarimi shtetëror (i cili funksionoi shumë keq për të gjithë shqiptarët), u kthye në problem për bankat, këto të fundit i kërkuan reformë qeverisë dhe qeveria e privatizoi menjëherë përmbarimin. Gjykatat janë institucione të mirënjohura në Shqipëri për korrupsion masiv dhe për vonesa pa fund, dhe deri më sot nuk është bërë ndonjë gjë e madhe për ta ndryshuar këtë situatë. Bankat po i kërkojnë qeverisë këto ditë të ndryshojë diçka në mënyrën e funksionimit të drejtësisë, me qëllim që kolateralet e kredive të këqija të ekzekutohen shpejt. Propozimet e bankave për qeverinë variojnë nga krijimi i një seksioni të veçantë në gjykatë, te tërheqja e veshit për gjykatësit që nuk zbatojnë afatet ligjore të gjykimit apo më e rënda, në reformë ligjore për të ndaluar të drejtën e kreditorëve të përdorin apelin. Propozimet duken drastike, por me 18.6 për qind të kredive të klasifikuara me vonesa mbi 3 muaj dhe me një pjesë të konsiderueshme të tyre në proces ekzekutimi të kolateralit, problemi duket se ka marrë përmasat e urgjencës.
Ndërkohë, në rast se qeveria vihet në lëvizje për të kryer reformë vetëm kur bankat përballen me probleme, kjo lë një shije të hidhur, pasi të gjithë shqiptarët përballen me probleme, por ankesat e tyre nuk dëgjohen nga askush.
Top Channel