Ministrat e vendeve arabe do të takohen të dielën në Kajro, për të vendosur se cilat janë hapat e mëtejshëm që mund të ndërmerren kundër regjimit të Bashar al-Assad në Siri, pasi vetoja ruso-kineze rrëzoi nismën e tyre në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Sipas ekspertëve, pritet që vendet arabe të propozojnë lëshimin e një misioni të përbashkët vëzhgimi me OKB-në, në të njëjtën kohë që njohja e rebelëve si qeveri e ligjshme e Sirisë mund të jetë një tjetër masë ekstreme.
Ndërkohë, konflikti në Siri vazhdon të jetë i ashpër, me forcat qeveritare që bombardojnë qytetin e Homsit dhe atë të Zabadanit. Të shtunën, 35 persona u konfirmuan të vdekur, ndërsa një gjeneral u vra në Damask.
Gjenerali i brigadës Isa al-Kholi, udhëheqës i disa operacioneve ushtarake ndaj rebelëve dhe forcave civile, u qëllua nga një “celulë terroriste” në dalje të shtëpisë së tij në kryeqytet.
Ky është ekzekutimi i parë i një figure të rëndësishme pro-qeveritare, që prej nisjes së konfliktit, në mars 2011.
Grupet për të drejtat e njeriut e vendosin shifrën e të vrarëve në 11 muajt e revoltave në të paktën 7 mijë persona, ndërsa të dhënat zyrtare flasin për vetëm 2 mijë ushtarë të vrarë, në luftën me “banditët e armatosur dhe terroristët”.
Top Channel