Dhjetëra telefonata vijnë në sallën e Drejtorisë Operacionale kombëtare, prej nga ku merret informacion nga të gjitha qarqet dhe komunat e bllokuara nga dëbora.
Prej kësaj zyre informacioni mandej i shpërndahet menjëherë Shtabit të Emergjencës për zonat ku është e domosdoshme të ndërhyhet. Kreu i Drejtorisë Operacionale, Xhaferr Seiti, pohon për Top Channel se aktualisht janë të bllokuara dhe nën izolimin e dëborës 55 komuna.
“Situata më e vështirë paraqitet në komunat e Shkodrës, Kukësit dhe në Dibër. Po punohet nga të gjitha shtabet e emergjencave në këto zona, po punojnë drejtoritë rajonale të rrugëve. Një ndihmë të jashtëzakonshme po jep edhe ushtria me të gjitha mjetet që ka në dispozicion”, thekson Seiti.
Për shkak të situatës së rëndë, informacionet urgjente ia lënë vendin njëra-tjetrës. Dy helikopterë ishin bërë gati të niseshin drejt komunave të Librazhdit në mesditë, por disa minuta më pas urdhri u anullua për shkak të stuhive.
“Disa helikopterë janë kthyer sot, ndërsa dje nuk u ngritën sepse kishte shumë erëra. Operohet kryesisht me kamionë, ndërsa nga ajri operohet kur haoet koha”, shpjegon kreu I Drejtorisë Operacionale.
Në të gjitha misionet me ndihma ushqimore deri të dielën në mesditë u ishin dërguar banorëve të bllokuar 812 pako ushqimore me nga 22 kilogramë secila dhe ku është llogaritur se çdo familje ka vetëm një pako të tillë.
Gjithsej janë shpërndarë 15 mijë e 884 kg ushqime dhe 4060 kg detergjentë.
Top Channel