“Top Story”: Politika e jashtme e Shqipërisë

09/02/2012 00:00

Viti 2012 do të jetë i rëndësishëm për Shqipërinë në shumë drejtime. Ashtu si në të dy vitet e fundit, reformat në kuadrin e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Bashkimi Europian do të luajnë një rol qëndror në jetën politike të vendit.

Për të diskutuar rreth procesit të integrimit, çështje të tjera si Kosova apo marrëdhënieve të jashtme të Shqipërisë me rajonin, BE-në e superfuqitë botërore, në stadion e “Top Story” ishte i ftuar Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

Në dialogun udhëhequr nga Sokol Balla, u bashkangjitën dhe një grup analistësh e ekspertësh, si Lisien Bashkurti, themelues i Akademisë Shqiptare të Diplomacisë, Mustafa Nano dhe Aleksandër Çipa, kryeredaktor i gazetës “Shqip”.

Sfidat e integrimit, roli i Ministrisë së Jashtme

Në hyrje të bisedës, Ministri Haxhinasto iu përgjigj pyetjeve të ngritura për rolin e institucionit që ai drejton në realizimin e procesit të integrimit. “Ministria ka një rol specific, ka detyra që kanë të bëjnë me mbajtjen e dialogut politik me Bashkimin Europian. Ka edhe disa detyra të posaçme, në realizimin e marrëveshjes së asocimit, realizimi një politike të caktuar me fqinjët dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, që duhet patur si çështje reference për formulimin e qëndrimeve të shumta. Në sensin e detyrës së saj kryesore, për Ministrinë është ruajtja e dialogut politik. Ministria e Jashtme ka zhvilluar një veprimtari shumë intensive me të gjitha hallkat e BE-së. Reformat janë prioritare dhe në krye të axhendës së dialogut tonë janë 12 pikat e kërkuara. Sidoqoftë, ndërsa roli i Ministrisë në ruajtjen e dialogut me të gjitha hallkat e strukturat e Bashkimit Europian është përparësor, mbetet e qartë se reformat që duhet të shkojnë përpara janë gjithpërfshirëse, pasi janë institucione të tjera që duhet të arrijnë edhe ato standartet e kërkuara”.

Bashkurti: Dështimet e integrimit, jo përgjegjësi e diplomacisë

Duke argumentuar mbi ato që u thanë në studio, Zoti Bashkurti vlerësoi se “diplomacia shqiptare është vendosur në pozita shumë të vështira në raport me Bashkimin Europian, me të cilin kemi patur një marrëdhënie shumë të vështirë dhe me shumë kriza. Ju kujtoj që Shqipëria ishte vendi i parë i rajonit që nënshkroi marrëveshjen e Tregëtisë së Lirë në vitin 1990 dhe sot jemi vendi i fundit që jemi refuzuar dy herë. Tre kriteret e Kopenhagenit nuk janë realizuar asnjëherë, ndërsa politika jonë nuk ka përbushur detyrimet ndaj partnerëve ndërkombëtare. Nuk është vetëm faji i diplomacisë, madje ajo ka fajin më të vogël në këtë mes, pasi në fund të fundit janë një sërë institucionesh të tjera dhe standartesh të tjera që nuk janë arritur të zbatohen. Pa dyshim, Ministria mundet t’i pasqyrojë Europës një realitet që lulëzon, kur e vërteta është ndryshe dhe e mbushur me problematika”.

Drejtësia dhe 12 kriteret e kërkuara nga BE

Sipas kryeredaktorit të gazetës “Shqip”, Aleksandër Çipa, nga 12 kriteret e kërkuara nga Bashkimi Europian, tre prej tyre janë vështirësisht të realizueshme. Duke iu drejtuar Ministrit, Çipa ngriti pyetjen në ka kohë fizike për të ndrequr problemet në drejtësi, në standartin e kërkuar në administratë dhe për demokracinë institucionale. “Këtu në Tiranë kemi biseduar gjatë me drejtorin e zgjerimit dhe kemi ndarë atë që është evidente, që një vend vlerësohet për standin ku ai ka arritur në momentin kur Bashkimit Europian e bën këtë vlerësim, pra kur e “fotografon” një vend, që do të ndodhë në vjeshtën e këtij viti. Midis dy progresraporteve kemi të bëjmë vetëm për një proces. Nëse do të ketë angazhim institucional për të çuar në fund reformat, nuk ka përse të paragjykojmë procesin”, u përgjigj Haxhinasto.

Megjithatë, duke këmbëngulur në pikën e tij, Çipa argumentoi se polemikat dhe antagonizmi që ndodh midis gjykatës dhe prokurorisë, vështirë të mos shënohen në progresraportin e vjeshtës. “Dalloj dy gjëra të rëndësishme”, u shpreh Haxhinasto. “Përceptimi publik dhe stadin real të bashkëpunimit instituconal. Prokurorja, në intervistën që kam ndjekur me shumë vëmendje, tha që ekziston një bashkëpunim institucional. Unë si institucion, në paraqitjen time përpara BE-së, kur vjen çështja e drejtësisë, do të fokusohem tek marrëdhënie institucionale. Edhe retorika politike e përceptimi publik është i rëndësishëm, por mua më intereson që funksionimi të jetë bërë sipas ligjit dhe edhe në fjalët e vetë prokurores, ky përfundin mund të nxirret”.

Roli i opozitës në dështimin e marrjes se statusit

I pyetur nga Mustafa Nano për komentin e tij rreth qëndrimit të maxhorancës, që ka cilësuar opozitën si përgjegjëse kryesore në dështimin e bisedimeve për procesin e integrimit, Ministri Haxhinasto u shpreh: “Unë këtu nuk duhet të flas për çdo deklaratë që jep Kryeministri si kryetar i maxhorancës apo kryeministër. Veprimtaria politike e opozitës e ka dëmtuar në shumë aspekte dhe seriozisht marrjen e statusit të vendit kandidat, në aspektin e asaj që ndodhi në datën 21 janar dhe në këtë sens, padiskutim që mungesa e opozitës në parlament, ishte faktor në mosmarrjen e statusit. Ajo që konfirmon këtë, është se në një gjatësi 1-vjeçare, ajo që është kërkuar nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve europiane ka qenë cilësia e dialogut politik dhe në raport u shkrua qartë se bojkoti e prishi procesin”.

Nepotizmi në administratë

Nisur nga debati zhvilluar në Komisionin Parlamentar për politikën e jashtme, ku deputetët e opozitës akuzuan Ministrinë e Jashtme dhe krerët e saj për emërime nepotike në administratë, Ministri Edmond Haxhinasto iu përgjigj këtyre pretendimeve: “Më krijon shqetësim në sensin që gjithë problematika e Ministrisë së Jashtme redutohet në cështje emrash të përvecëm dhe të lidhjeve të caktuara që nuk janë asnjëherë në ato përmasa dhe në atë problematikë që u parashtrua. Dëshirojmë një sistem më imun ndaj politikës, për këtë mund të bëjmë vetëm me një ndërhyrje konkrete. Po ndërhyjmë me propozime konkrete. Shqetësimi ynë do të jetë tek këto reforma që zhvillohen. Shqipëria ka sfidat në politikën e jashtme gjithmonë në rritje dhe për këto sfida duhet një reformë e thellë dhe e plotë. Pa u futur në emra të përvecëm në Ministrinë e Jashtme ka njerëz që janë me meritë në atë detyrë, të nderuar. Ju garantoj se të gjithë punonjësit e Ministrisë së Jashtme janë emëruar në bazë të ligjit. A ka nevojë për përmirësim? Sigurisht që ka. Në shërbimin e jashtëm ka persona të punësuar si të përkohshëm, jo në shërbimin e karrierës së diplomatit. Përmasa e problemit nuk është aq e madhe, ka përpjekje për të paraqitur diplomacinë si të dështuar dhe të paaftë për të realizuar sfidat. Është një politizim keqdashës. Ministria e Jashtme është një vlerë kombëtare dhe detyrim kombëtar për të mbrojtur. Diplomacia përfaqëson ngjyrat kombëtare, jo ato partiake. Kjo pjesë e politikës së jashtme të Shqipërisë s’mund të goditet në këtë mënyrë, është pjesa më e vlerësuar. Kemi qenë pjesë aktive në NATO dhe në politikat në rajon dhe ato për integrimin në BE. Nuk ndihmon askënd marrja me 1 apo dy emra të përvecëm. Si ta ngremë në institucion shërbimin e meritokracisë? Duhet të vendosim një përqasje tjetër, konstruktive ndaj Ministrisë së Jashtme që është një vlerë kombëtare.

Ndërsa për analistin dhe ish-diplomatin Lisjen Bashkurti, nepotizmi është sëmundja më kancerogjene e administratës shqiptare  në përgjithësi: “Është trashëgimi nga osmanet, Zogu dhe regjimi kaluar. Kemi nepotizëm i lidhjeve të brendshme dhe nepotizëm të militantëve. Sistemi i Ministrisë së Jashtme është jashtëzakonisht abuziv edhe pse ambasadorët kalojnë nëpër një sërë hallkash për të marrë emërimi. Përsa i takon pr/ligji, Shqipëria është një vend që miraton ligje, por normës juridike u kundërvihet kultura politike, në asimetri të plotë me normën juridike. Shumica e ligjeve në Shqipëri janë ligje të injoruara, të shkelura si rezultat i anti-kulturës, administrata publike është e sulmuar, shantazhuar. Ne bëjmë diplomaci me njëri-tjetrin dhe demagogji me të huajt, administrata është një ciflik në konjukturat e rotacionit politik. Albanologu Robert Elsie thotë se shumë pak ka ndryshuar në administratën shqiptarë që nga koha e osmanëve. Administrata në Ministrinë e Jashtme ka qenë më shumë konsistente dhe e ka një bërthamë specialistësh, ndërsa sektorët e tjerë të administratës janë masakruar komplet. Është institucion ku shihet se si përplasen interesat në emërimet në administratë. Mbi ligjin për emërimet kanë dalë Vendimet e Këshillit të Ministrave, VKM të ashtuquajturat emërime “ad hoc”, te këto vendime shihet nepotizmi. Sot mendimi diplomatickështë i injoruar, nëpërkëmbur”.

Pikërisht VKM-të e nxjerra nga Këshilli Ministrave, për analistin e ftuar në panel, Mustafa Nano bëhen për të përligjur nepotizmin në administratë.

Kryeredaktori i gazetës “Shqip”, Aleksandër Cipa foli për dy llojë nepotizmi: Ka dy lloje nepotizmash, nepotizëm meritokratik dhe nepotizmi anti-meritokratik. Ky i fundit është një problem. Gjatë periudhës 2-vjecare të ministrit Haxhinasto, lëvizjet brenda stafit kanë qenë më të reduktuara, por në 5 vite kanë qenë shumë intensive. Nepotizmi është pjesë e debatit substancial që ka vendi”.

Qarkorja e MJ dhe libri i Edi Ramës?

Akuzave të ngritura ndaj MJ për ekzistencën e një qarkoreje të nxjerrë nga ky institucion për të gjitha ambasadat, që kishte të bënte me “pengesat” për promovimin e librit “Kurban” të Edi Ramës, ministri Haxhinasto iu përgjigj: Ministria e Jashtme po goditet me mashtrime. Nuk ka asnjë qarkore që ka të bëjë me librin e zotit Rama, s’ka asnjë qarkore të tillë. E ftova zotin Bushati që të bëjë publike këtë qarkore”.

Më tej ministri hodhi poshtë edhe pretendimet se në ditën që Rama ndodhej në Preshevë, ai kishte ftuar udhëheqësit e Luginës në Tiranë: “Në rastin e Preshëvës, ka qenë një kërkesë e zotit Riza Halimi dhe Galip Beqiri. Ata kishin zgjedhur këtë datë dhe ne nuk mund t’u thonim mos hajdeni në Tiranë sepse është zoti Rama në Preshevë. Problematika e atij takimi ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos me arsimin. Edhe njëherë s’ka patur asnjë qarkore për ambasadat për librin e Ramës. Kurrë!”, tha zoti Haxhinasto.

Për diplomatin, Lisjen Bashkurti nuk kanë rëndësi takimet por rikthimi në qendër të vëmendjes së Luginës së Preshevës, e lënë sipas tij, në harresë, por ai nënvizoi ndryshimin e qendrimeve të Tiranës në politikën e jashtme rajonale: “Lugina nuk ka vuajtur nga mungesa e lëvizjes. Mua më vjen mirë që Rama ishte atje dhe liderët e Preshevës ishin këtu. Lugina kishte vuajtur nga harresa. Në marrëdhëniet në rajon duhet të kemi parasysh Kushtetutën, që thotë se “shteti shqiptar ka për detyrë të luftojë për realizimin e aspiratës për bashkimin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre”. Kjo strategji nuk respektohet, nuk e realizojmë dot këtë. Politika jonë në rajon është  ndalur tek retorika: “faktor stabliteti në rajon” duhet të kalojmë këtë moment”.

Pretendimit të zotit Bashkurti, ministri Haxhinasto iu përgjigj: “Ministria e Jashtme, jo vetëm unë koncepton bashkimi shqiptarëve me integrimin në BE, duke ndërtuar infrastrukturën, tekste e libra të përbashkët etj. Politika e jashtme e Shqipërisë është një aset që i ka rritur imazhin Shqipërisë. Imazhi është sfidë e madhe edhe e diplomacisë, por edhe e shqiptarëve. Imazhi është përpjekje e përbashkët e qytetarëve dhe e partive politike. Përmirësimi i realitetit është themeli i imazhit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA