Nga foltorja e Parlemantit, deputeti Taulant Balla, duke iu referuar raportit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm per 21 janarin, bërë publik nga “Top-Channel” disa ditë më parë, ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe ish-Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, si përgjegjësit e kësaj ngjarje.
”Ky është raporti i inspektimit SHKB-së, raporti që hedh poshtë pretendimet e deputetëve të mazhorancës dhe konfirmon faktin se kjo polici shteti sot është tërësisht e inrikiminuar. Raporti flet qartësisht për urdhër-dhënie të qëllimshme për të qëlluar, njëssoj siç bën sot Assad në Siri ndaj popullsisë së tij të pafajshme. Raporti flet qartë se kush janë dy përgjegjëzit, Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Kryeministri ka një vit që fshihet nga përgjegjësia e urdhërdhënies”, u shpreh Balla.
Taulant Balla ka ftuar kryeministrin Berisha të shkojnë sëbashku në Prokurori për të dëshmuar. Ndërsa deputetja e mazhorancës, Arenca Trashani, ka lënë barrën e fajit për atë që ndodhi më 21 janar kreut të opozitës Edi Rama.
”Edi Rama është njeriu që orkestroi sulmin ndaj institucioneve kushtetuese, orkestroi një sulm kundër demokracisë. Them orkestroi sepse vetë u fsheh si frikacak dhe turri njerëzit e pafajshëm në drejtim të institucioneve. Pas një viti, akoma s’ka patur burrërinë t’i kërkojë falje shqiptarëve. Cili është ai prokuror në botë që pas një batërdie ndaj institucioneve, lëshon urdhër arresti për gjithë zinxhirin e gardës? Megjithatë, ne do të vazhdojmë të kërkojmë zbardhjen e detajeve të ngjarjes”, tha Trashani.
Ndërkohë, deputeti socialist Pirro Luto ka bërë publike disa shifra alarmante për përkeqësimin e rendit në Shqipëri në tre vitet e fundit.
”Nga burime brenda policisë së shtetit, flitet për një gjendje alarmante të rritjes së krimit kundër jertës në vend. Po ju jap vetëm disa shembuj. Krimi i vrasjes është rritur në periudhën 2008-11 me 75%. Krimi i vjedhjes me dhunë është rritur me 93%, ndërsa vjedhjet me armë, nga 2008-2011 janë dyfishuar”, raporti Luto.
Ndërkohë, në Parlament u miratuan edhe dy projektligjet për kredinë që do të marrë qeveria për ndërtimin e bajpaseve të Fierit dhe Vlorës përfshi atë për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Top Channel