Gjendja e vështirë në Peshkopi

09/02/2012 18:45

Qindra banorë në zonën e Peshkopisë po përjetojnë izolim total nën dëborë. 8 komuna të këtij qarku kanë probleme ekstreme për shkak të vështirësive të motit të keq, kushte që i kanë çuar njerëzit deri në kufijtë e mbijetesës.

Janë me dhjetra fshatrat të cilat nuk kanë asnjë komunikim me rrugët tokësore, çka i ka vështirësuar skajshëm mundësitë e jetesës për banorët.

“Shkoj në Peshkopi për të marrë ushqime. Rruga në këmbë nga Rrabdishti bën dy orë dhe kur u ktheva kisha frikë nga egërsirat sepse në këtë periudhë fillojnë të lëvizin. Ne jemi krejtësisht të bllokuar”, shprehet një banor i Rrabdishtit.

Tanimë çështja për këta njerëz shtrohet tek mundësia për t’i mbijetuar urisë. Të izoluar dhe me mundësi të pakta ekonomike, banorët e fshatit Rrabdisht të komunës Melan, që është vetëm 8 km nga qyteti i Peshkopisë, thonë se nuk kanë asnjë rezervë ushqimore: “Ushqimet janë me pakicë. Ushqimet kanë mbaruar dhe nuk dimë ku të shkojmë. Kërkojmë ndihmë. Ne nuk mund të marrim ushqime për 3-4 muaj që të përgatitemi për dimrin sepse nuk kemi para

Një banor tjetër thotë që patatja është ushqimi i vetëm i zonës. Madje shumë prej tyre thonë se uria po ju rrezikon edhe gjënë e gjallë. Mundësinë e pakët që kanë për t’u mbajtur frymën.

Ndonëse nuk është skaji më ekstrem i izolimit për zonën e Peshkopisë, Fshati Rrabdisht prej ditësh të gjitha emergjencat shëndetësore po i transporton në këmbë pasi bora nuk lejon lëvizjen e asnjë lloj mjeti.

Edhe pse kjo situatë nuk vjen aspak e papritur për këta njerëz, që çdo vit janë mësuar t’i presin dimrit anën më të pamëshirshme të tij, sërish ndodhen të papërgatitur. Sërish në pritje të ndihmave dhe të shpresës së mbarimit të një tjetër cikli të egër të natyrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA