Presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se beson se e meriton një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Deklarata e tij, në një intervistë për NBC, erdhi teksa sondazhet e fundit tregonin se kuota e miratimit të figurës së tij kishte kaluar 50 për qind për herë të parë që prej majit 2011.
Sondazhi i ABC News dhe Washington Post tregonte gjithashtu se Obama do ta mundte kandidatin republikan Mitt Romney.
Romney dhe rivalët e tij aktualisht po bëjnë fushatë në Kolorado dhe Minesota, pasi fundjavën e kaluan në Nevada, ku fitues doli pikërisht Romney.
Shtetet në mbarë Amerikën aktualisht po mbajnë zgjedhjet primare për të zgjedhur një republikan të vetëm që do të sfidojë zotin Obama në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.
Intervista e zotit Obama për NBC u transmetua përpara Super Bowl-it, evenimenti televiziv më i ndjekur i vitit në Shtetet e Bashkuara.
Ajo erdhi dy ditë pas përmirësimit të shifrave të publikuara nga analistët, që tregonin se mundësitë që presidenti i parë me ngjyrë të sigurojë një 4-vjeçar tjetër ishin përmirësuar.
“Unë e meritoj një mandat të dytë, unë nuk kam mbaruar. Ne kemi krijuar 3.7 milionë vende pune në 28 muajt e fundit, kemi krijuar më shumë vende pune që prej 2005-ës dhe më shumë në sektorin e manifakturës prej 1990-ës. Por nuk kemi mbaruar”, deklaroi Obama.
“Ajo që unë do të vazhdoj të bëj është të punoj me këmbëngulje. Dhe e dini çfarë? Një nga gjërat e të qënit president është se bëhesh më i zoti teksa koha kalon”, shtoi Obama.
Top Channel