Kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, gjatë vizitës së tij në Uashington komentoi për herë të parë ngjarjet e 21 Janarit.
Ish-Ministri i Brendshëm tha se një vit më parë u vranë katër persona të pafajshëm, si dhe kërkoi hetim gjithpërfshirës dhe të paanshëm.
“Është një ngjarje tragjike, që ka cuar në marrjen e jetës së 4 qytetarëve të pafajshëm. Të gjitha këto duhet të jenë pjesë e një hetimi gjithëpërfshirës të pavarur dhe profesiona, i pa ndikuar nga klasa politike. Mendoj se është shumë e rëndësishme që procesi të eci në parametrat e shtetit ligjor dhe në këtë kuptim çdo aktor duhet të udhëhiqet pikërisht nga ligji dhe nga nevoja për të ekzekutuar brenda kornizës ligjore përgjegjësitë që ka”, tha Basha.
Sa i takon klimës së acaruar politike dhe mungesës së një dialogu politik, Basha i referohet objektit të madh; integrimi europian.
“E kam fjalën për një kod të ri elektoral, në mënyrë që bojkoti dhe sulmi ndaj institucioneve të mos pengojë më integrimin për në BE dhe askush të mos vendosë interesat personalë e partiakë para atyre të qytetarëve”, tha Basha.
Gjatë vizitës në Uashington, Kryetari i Bashkisë, Lulëzim Basha u takua me kryetarin e Bashkisë së Uashingtonit Vincent Gray si dhe me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit Amerikan për Europën, Filip Riker.
Basha në Uashington, takon homologun
Gjatë një takimi me homologun e tij të bashkisë së Uashingtonit, Vincent Grein, Lulzim Basha deklaroi se është i vendosur që qytetarët e Tiranës të jenë pjesë e vendimmarrjes për projektet e mëdha dhe në interes të tyre.
Basha është shprehur në këtë takim se punësimi është prioriteti numër një i tij dhe për këtë ka ndërmarrë një sërë hapash, që nga lehtësirat e deri në heqjen e taksave për katër vjet për çdo kompani që do punësojnë mbi 40 persona.
Në Uashington, Basha ka deklaruar se ka marrë ndihmë për Tiranën për ndërtimin e tramvajit dhe hapësirat e gjelbra.
“Duke qënë se jam tepër i interesuar në këtë çështje, kryebashkiaku u tregua tepër i gatshëm për të ndarë me mua këtë eksperiencë, të cilën po e zbaton me sukses në Uashington”, ka deklaruar Basha.
“Ne gjithashtu ramë dakord që për një qytet të zhvilluar siç është Uashingtoni, i cili është numri një në SHBA, ne duhet t’ia nisim nga Tirana e gjelbër, që është edhe prioriteti kryesor i imi, ndërtimi i parqeve që do të planifikohen në Planin e ri Urbanistik. Ashtu siç kryetari i bashkisë po bën këtu, edhe ne në Tiranë do të ndërtojmë linjën e tramit dhe jam i lumtur të ndaj me ju këtë eksperiencë shumë të vlefshëm për Tiranën”, vijoi qytetari i parë i Tiranës.
Ndërkohë që kryetari i bashkisë së Uashingtonit, Grein është shprehur se, ndau me zotin Basha një numër çështjesh me interes të përbashkët për të dy qytetet. Ai tha se do të bashkëpunojë me të për të zhvilluar qytetet.
Top Channel