Qeveria e Kosovës ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e plotë për dialogun me Serbinë edhe pse qëndrimet e palëve vazhdojnë të jenë të kundërta.

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Hashim Thaci u ndal te përfaqësimi rajonal, për të cilin tha se axhenda e qeverisë shkon drejt asaj që Kosova të përfaqësohet e barabartë me shtetet e tjera.

“Ne mbështesim edhe sot këtë proces të rëndësishëm për normalizimin e raporteve ndërshtetërore dhe gjithë axhenda do vazhdojë si dy shtete të pavarura e sovrane. Në kuadër të kësaj hyn edhe cështja e përfaqësimit rajonal, ku Kosova do jetë e barabartë me të tjerët”, deklaroi Thaci.

Qëndrimin e kryeministrit për përfaqësimin e barabartë me shtetet e tjera në konferencat rajonale e përforcoi zëvendësi i tij Hajredin Kuci.

Pas një sërë pyetjesh nga gazetarët, qeveria e Kosovës duket se nuk do të paragjykojë fundin e një marrëveshjeje që akoma nuk është arritur, por është e sigurtë që Kosova do të përfaqësohet ashtu sic përfaqësohen shtetet e tjera.

“E para, nuk ka marrëveshje për këtë. Kosova nuk ka ndryshuar asnjë pozicion. Përfaqësuesi i Kosovës do identifikohet njësoj si të tjerët. Në asnjë rast nuk do të hiqet dorë nga ajo e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe ligjet tona”, theksoi Kuci.

Debati i ditëve të fundit nëse Kosova do të prezantohet me ose pa termin “republikë” në konferencat rajonale ka nxitur reagimin e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se një tërheqje e tillë është në kundërshtim me Kushtetuten e shtetit.

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje organizoi një aksion me thirrjen “Kosova Republikë”, duke shkruar togfjalëshin në fjalë në muret e qytetit të Prishtinës dhe duke kritikuar ashpër qeverinë. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA