Prokuroria e Durrësit analizon punën

01/02/2012 00:00

Përfundimi në një afat sa më të shkurtër i procedimeve të mbartura dhe ndjekja me përparësi e procedimeve në fushën e krimit ekonomik dhe korrupsionit, zyrtarëve që abuzojnë me detyrën dhe trafiqeve e krimeve kundër personit do të jenë prioritete të organit të akuzës në Durrës gjatë këtij viti.

Është zhvilluar këtë të mërkurë analiza vjetore, në të cilën ka marrë pjesë dhe Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, që ka shmangur komunikimin me vartësit e saj në prani të medias.

Prokurori i rrethit, Altin Binaj ka mbajtur raportin mbi ecurinë e një viti në drejtim të procedimeve penale të nisura dhe të cuara për gjykim. Gjatë raportit Binaj i është shmangur ndaljes në raste konkrete dhe në cështje të rëndësishme, ecuria e të cilave përbën interes publik.

Pas kësaj, analiza ka vazhduar për disa orë dhe në të nuk kanë munguar kritikat ndaj prokurorëve. Zgjatja e afatit të hetimit paraprak mbetet një problem i cili është diskutuar gjatë analizës duke u ndalur në shkaqet dhe domosdoshmërinë e përmirësimit të këtij treguesi.

Ndonëse nga viti në vit ka një rënie të numrit të procedimeve penale me afate të tejzgjatura në Prokurorinë e Durrësit, gjatë vitit 2011 janë regjistruar 1800 procedime penale, ndërsa janë mbartur për këtë vit 562. Prokurorët e Durrësit kanë cuar në gjykatë 913 procedime me 1150 të pandehur, po vetëm për 686 procedime penale është mbyllur gjykimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB