Ditën e enjte, pavarësisht paparashikimeve, kryeministri grek Lukas Papadhimos do të zhvillojë një takim me krerët e tre partive që mbështesin qeverinë e tij.
Bëhet fjalë për Jorgo Papandreun, kryetar i Pasok, Antonis Samaras, i Demokracisë së Re dhe Jorgo Karaxhaferis, kryetar i Laos.
Qëllimi i takimit do të jetë marrja e një vendimi përfundimtar lidhur me masat e reja ekonomike të kërkuara nga trojka e përbërë nga FMN, BE dhe BQE.
Ndërkohë, diskutimet mes qeverisë greke dhe trojkës për programin e ri të borxheve për vendin do të mbyllen shumë shpejt.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi i misionit të FMN-së në Athinë, Poul Thomsen, në një prononcim për të përditshmen lokale “Kathimerini”.
Deklarata konfirmon komentet e bëra këto ditë nga Athina dhe Brukseli për një mbyllje të marrëveshjes mes qeverisë greke dhe kreditorëve privatë brenda kësaj jave.
Ndërkohë, po sipas mediave greke, problemi i pasardhësit të Papandreut në krye të Pasok duket se po shkon drejt zgjidhjes.
Ministri i Shëndetësisë, Andreas Loverdos mbrëmjen e së martës ka njoftuar tërheqjen e kandidaturës së tij, duke i dhënë mbështetjen ministrit të Financave Evangjelos Venizelos, pasardhësi më i mundshëm i Papandreut.
Top Channel