Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi dhe rikthimi i lëvizjes së lirë në veri do të jenë prioritetet e Bordit për Sundimin e Ligjit gjatë vitit 2012.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i misionit EULEX, Xaveri Bout de Marnhac, i cili në një konferencë për shtyp ka vlerësuar përmirësimin e kornizës ligjore për konfiskimin e pasurive të paligjshme si një prej synimeve kryesore.

“Unë do ta fokusoj misionin tim në tre fusha, në intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe në rikthimin e lëvizjes së lirë të njësive tona në veri të Kosovës”, ka deklaruar De Marhnac.

Shefi i misionit evropian ndër të tjera ka vlerësuar punën e bërë gjatë vitit që lamë pas nga Policia e Kosovës, sidomos në konfiskimin e lëndëve narkotike.

Ndërsa reagimi i forcave të rendit ndaj protestave të janarit, sipas tij, ishin në përputhje me standartet e policive të vendeve evropiane.

Në ditët e fundit, misioni evropian për rendin dhe ligjin emëroi ceken Jaroslava Novotna si kryeprokuroren e re të tij.

Novotna ka punuar për më shumë se 30 vjet si prokurore në Republikën Ceke dhe ka eksperiencë të gjatë në trajtimin e cështjeve të lidhura me krimin e organizuar.

Gjithashtu, ajo ka qenë përfaqësuesja e Republikës Ceke në misionin Eurojust në gjykatën e Hagës, ku ka menaxhuar bashkëpunimin gjyqësor mes Cekisë dhe vendeve të tjera të BE-së.

Gjithashtu, EULEX njoftoi zgjedhjen në krye të Prokurorisë Speciale të danezes Signe Justesen, e cila ka një eksperiencë 30-vjecare në fushën e sundimit të ligjit në Danimarkë.

Ndërkohë, Hajredin Kuci, i pranishëm në konferencë në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, ka ripohuar angazhimin e qeverisë kosovare në përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Të gjithë ne do të jemi të përkushtuar për të kryer detyrimet tona. Shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen e qeverisë për nisjen e dialogut”, ka thënë Kuci.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA