Ministrja kroate e Punëve të Jashtme, Vesna Pushic ka deklaruar se vendi
i saj nuk do ta mbështesë kandidaturën e Vuk Jeremic për postin e
kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Kandidatura e Vuk Jeremic ka ardhur papritur dhe në momentet e fundit. Gjithashtu, duhet pritur edhe rezultati i zgjedhjeve në Serbi”, ka deklaruar Pushic, e cituar nga “REL”.

Shefja e diplomacisë kroate ka shtuar më tej se Zagrebi zyrtar do të mbështesë Lituaninë në zgjedhjet për kreun e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremic ka deklaruar se, në rast se zgjidhet kryetar, atëherë për Serbinë do të jetë një arritje e madhe riafirmimi.

Ndër kandidatët e tjerë për postin në fjalë është edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i njohur për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99.

Kryetari që do të zgjidhet do të përfaqësojë vendet ish-komuniste, ku përfshihen ato të Ballkanit, si dhe ish-republikat sovietike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA