Me shumë përplasje ka nisur procesi i shqyrtimit kryesor në rastin Klecka. Në seancën e së martës mbrojtja e FatmirLimajt ka kërkuar pezullimin e gjykimit për disa javë pasi ka vlerësuar se mungojnë prova, dhe se duhet të verifikohet vërtetësia e ditarit të dëshmitarit Agim Zogaj i njohur si X-i.
Po kështu mbrojtja e Limajt ka kërkuar pezullimin e prokurorit të rastit, Maurizio Salustro. Argumentet e mbrojtjes duket se, “shtrënguan” trupin gjykues që seancën kryesore të shqyrtimit gjyqësor në rastin “Kleçka” ta vazhdojnë të hënën që vjen.
Ndërkohë, prokurori i çështjes Maurizio Salustro e ka përsëritur të drejtën e mbrojtjes që për pezullimin e tij, mirëpo ai, nuk pranoi që të thirret edhe në cilësinë e dëshmitarit në këtë çështje, duke theksuar se ai gëzon imunitet pasi është avokat në misionin ndërkombëtar EULEX.
“Të gjithë e dëgjuan dje në seancën e hapur në gjykatë. Ai e quajti veten si një prokuror lokal, ndërsa sot kur sugjeroi për të shkuar te kryeprokurori, ai tha se ka imunitet. Unë e përmenda në gjykatë se Limaj ka imunitet dhe ndërkombëtarët që janë këtu duhet të sigurojnë që standardet që janë të zbatueshme për vendasit të jenë të zbatueshme edhe për ata. Askush nuk është mbi ligjin”, tha avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Karim Khan.
“Unë mendoj se të gjithë ata që kanë imunitet kanë imunitet nga ndjekja dhe për veprimet e tyre të cilat i bëjnë në punë lidhur me punën e tyre, por nëqoftëse ngriten akuza të tilla çfarë janë ngritur nga dëshmitari Agim Zogaj, për presionet dhe për detyrimin e tij që të nënshkruajë një procesverbal të cilin ai nuk e ka kuptuar gjuhën se procesverbali ka qenë i përpunuar në gjuhën angleze dhe shumë akuza të tjera, mendoj se ai duhet të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rrethanat e akuzës të cilat janë ngritur kundër tij”, shtoi Tahir Rrecaj, avokat mbrojtës i Fatmir Limajt.
Prokurori i çështjes duke e parë se mbrojtja po kërkon që të pezullohen seancat derisa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të marrë një vendim lidhur me pezullimin apo jo të tij, kërkoi nga trupi gjykues që të shtyhet seanca deri në vendimin e kryeprokurorit të EULEX-it. Seanca e radhës pritet të vazhdojë të hënën.
Top Channel