Deklarata e të ardhurave, opozita: Të shtyhet afati

31/01/2012 00:00

Socialistët i kërkuan qeverisë të shtyjë projektligjin, i cili detyron
individët, me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit, të dorëzojnë
deklaratën e të ardhurave tek tatimet. Arben Ahmetaj tha se Shqipëria
nuk është gati për të zbatuar këtë ligj.

“Meraku i opozitës është që ky ligj dhe numri i madh i deklarimeve do të bëjë që sistemi të konfuzohet, madje në një moment edhe të mos arrijë të krijojë një marrëdhënie të shëndoshë, midis sistemit dhe tatim paguesit. Ne përsëri propozojmë shtyrjen deri ditën që administrata të jetë gati. Ne e mbështesim ligjin, por ne kemi propozim për shtyrjen deri në 2014 ose 2015”, tha Ahmetaj.
 
Por mazhoranca thotë se administrata është gati për të përballuar këtë proces dhe me ndryshimet që iu bënë ligjit numri i deklaruesve është kufizuar.

“Mendoj që është i njëjti merak që ka qenë edhe para disa vitesh, kur u ul ndjeshëm niveli i taksave, ose u përgjymsua niveli i taksave, kur opozita tha se me këtë nivel ne do të ulnim të ardhurat dhe nuk do të kishim mundësi të financonim shpenzimet publike, por e vërteta rezultoi e kundërta. Meraku është i zgjidhur sepse kjo administratë është provuar njëherë, që ka qenë e aftë të dijë të menaxhojë sistemin e taksave”, tha Sybi Hida, deputet i PD-së.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë i miratoi ndryshimet në ligj vetëm me votat e deputetëve demokratë, ndërsa opozita abstenoi. Ndryshimet e fundit në ligj përfshijnë rritjen e kufirit të të ardhurave që një individ duhet të ketë për të qenë i detyruar të plotësojë deklaratën vjetore nga 200 mijë në 2 milionë lekë. Po kështu u shty edhe afati i dorëzimit të deklaratave të para,i cili tashmë do të jetë pas 30 shtatorit.

Top Channel