
Vendi është përfshirë nga një epidemi e rëndë virale. Numri i personave të prekur deri më tani ka arritur në 16 mijë persona në javë.
Të paktën kjo është shifra zyrtare e raportuar nga ISHP (Instituti i Shëndetit Publik). Edhe më e rëndë pritet të jetë situata në vijim, pasi specialistët bëjnë të ditur se është vetëm fillimi i një epidemie kombëtare, e cila pritet të zgjasë së paku një muaj.
“Mund të themi me plot gojën që jemi futur në epidemi. Dyndja më e madhe në spitale vërehet kryesisht në repartet e pediatrisë. 40% e të prekurve janë të moshës 0-5 vjeç dhe disa raste kanë ardhur në spitale në gjendje vërtetë të rëndë. Gjendja gripale është e rrezikshme, pasi shpesh herë krijon diagnoza të tjera të rrezikshme, siç është pneumonia”, shprehet specialisti i ISHP-së, Dritan Ulqinaku, në emisionin e “Pasdites”, në “Top-Channel”.
Sipas bluzave të bardha, rastet kanë shfaqur shumë komplikacione, probleme të shëndetit të shfaqura me kollë, sekrecione, temperaturë shumë të lartë, të miksuara me diarre, e probleme më serioze të frymëmarrjes. Kjo, pasi është verifikuar në qarkullim më shumë se një virozë.
“Ne kemi identifikuar dy tipe virusi, por ka edhe të tjerë në qarkullim që nuk janë viroza gripale. Mund të ketë viruse respiratorë, të cilët japin simptoma pothuajse të njëjta me atë të gjendje virale”.
Ekspertët e shëndetësisë thonë se nuk duhet anashkaluar në asnjë rast kjo situatë dhe të prekurit duhet t’i drejtohen detyrimisht mjekut, sidomos në rastin e të moshuarve dhe fëmijëve.
Për vetë natyrën e këtyre viruseve, ekziston mundësia që pacientët të shfaqin komplikacione deri në pneumoni. Situatë kjo e cila krijon probleme serioze për jetën.
Top Channel