
Kur kanë mbetur edhe katër ditë nga mbyllja e merkatos, Vllaznia është
hedhur në sulm për afrimin e futbollistëve. Kërkohet Antonio Marku nga
Dinamo, Ylli Shameti nga Tomori, braziliani Fernando da Silva nga
Apolonia dhe Gordan Vuk nga Kroacia.
Ndoshta mund të bëhet një sforco nga shkodranët që mund të marrin dy mbrojtës, nga katër të lartpërmendurit. Nuk mund të thuhet se me të gjithë është arritur akordi, me përjashtim të Antonio Markut, i cili është shkodran.
Por siç dihet tashmë, futbollisti zgjodhi Dinamon, aq më tepër, që në pjesën e parë të këtij sezoni ai ka qenë titullar i padiskutueshëm në të gjitha ndeshjet. Vllaznia tashmë ka gati kontratën me të, qoftë nga ana financiare, por edhe në aspekte të tjera, që duket se kushtet janë të pëlqyeshme dhe nuk po mendon të kthehet aty ku u formua si futbollist, në Shkodër.
Deri tani, Antonio Marku është “peng” i Dinamos për t’u kthyer te Vllaznia, pasi presidenca e kësaj skuadre, nuk ka dëshirë që ta lëshojë. Dhe në këtë pikë kanë mbetur bisedimet, ku gjithçka varet tani, direkt nga presidenti i klubit blu i cili drejtohet nga Artan Mërgjyshi, Besnik Sulaj, nëse do të vendosë që ta lërë të lirë shkodranin. Thuhet se palët kanë rënë dakord për të firmosur një kontratë një vit e gjysmë me kroatin Gordon Vuk, por për këtë çështje e mban pezull e ardhmja e Antonio Markut.
Nëse shkodrani mbyll brenda 24 orësh bisedimet me Dinamon, për ta lënë të lirë, atëherë Vuk do të qëndrojë në vendlindje. Në rast të kundërt, nëse blutë kryeqytetas nuk do të gjejnë gjuhën për ta lëshuar mbrojtësin shkodran, duke e mbajtur në ekip, atëherë menjëherë do t’i telefonohet kroatit Vuk, për të mbërritur në Shkodër dhe për të firmosur kontratën me Vllazninë. Fernando da Silva ka qenë në listën e afrimeve të trajnerit Rudi Vata, që në dhjetor të vitit të kaluar. Klubi fierak pretendon se braziliani është në kontratë dhe nuk mund të largohet drejt asnjë destinacioni tjetër, pa shlyer detyrimet ndaj Apolonisë, por drejtuesit e Vllaznisë po shpresojnë deri në fund se mund të arrijnë të bindin palët dhe braziliani Da Silva të bëhet pjesë e kuqeblubuve, deri në ditën e fundit të përfundimit të merkatos së janarit. Edhe me futbollistin e Tomorit, Ylli Shameti, kanë nisur bisedimet dhe pritet të arrihet drejt fundit, me shpresën se përgjigjja pozitive do të jetë për Vllazninë e teknikut Rudi Vata. Trajneri shkodran 43-vjeçar e kërkon këtë futbollist, pasi sipas tij, i përshtatet planeve dhe filozofisë së lojës së ish-futbollistit të Vllaznisë dhe Dinamos, ekipe me të cilat ka luajtur në Shqipëri në të kaluarën. Mbetet një alternativë serioze në bisedime me Vllazninë. Dje, në radhët e shkodranëve janë rikthyer mbrojtësit Dritan Smajli dhe Arsen Sykaj. Ky i fundit dëshironte të largohej nga kuqeblutë, pas këtij episodi, ndërsa drejtuesit më të lartë të klubit dhe të Bashkisë së Shkodrës, duket se vendosën “veton”, për këtë futbollist, por edhe për disa të tjerë. Ai ka një kontratë deri në 2013-n me Vllazninë dhe do ta respektojë atë, pavarësisht ofertave të shumta.
Top Channel