Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, ja kush janë më të votuarit për deputetë deri më tani Të paktën 88 aksidente trafiku është bilanci aktual pas reshjeve të mëdha të borës në gjithë Kosovën.
Ndërkohë nga qendra emergjente spitalore bëhet e ditur se, vetëm gjatë 24 orëve të fundit më shumë se 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, kryesisht nga aksidentet e trafikut.
Reshjet borës kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullimin rrugor ndërkohë policia njofton se, rrugët magjistrale janë të kalueshme, por rrugët lokale në disa komuna janë të bllokuara. E pakalueshme mbetet vetëm rruga që të çon drejt Malit të zi Pejë-Kullë- Rozhaj.
“Një bllokim total për qarkullim e kemi në vend kalimin kufitar Pejë-Kullë-Rozhajë, për shkak se në territorin e Malit të Zi është bllokuar rruga dhe është dashur të ndërpritet qarkullimi në atë pjesë. Bllokim të disa rrugëve kemi edhe në komunën e Novobërdës, në Dragash, Brezovicë, Prevallë, Shalë të Bajgorës dhe në disa fshatra të komunave të ndryshme”, tha Baki Kelani nga Policia e Kosovës.
Megjithatë më të bllokuara janë rajonet rurale, ku qarkullimi pothuajse është bërë i pamundur. Njëra ndër këto rajone është edhe ai i Novobërdës, me këtë rast kryetari i kësaj Komune, Bajrush Ymeri, ka bërë apel tek të gjitha institucionet qeveritare të Kosovës dhe organizmat e tjerë vendorë ndërkombëtar për ta ndihmuar komunën në hapjen e rrugëve lokale.
Por, gjendja nuk është e mirë në rrugët e kryeqytetit kosovar.
“Aktualisht të gjitha kompanitë janë duke operuar në territorin e komunës së Prishtinës me kapacitet të plotë dhe kapacitet të shtuar. Kapaciteti i shtuar është si rezultat i vlerësimit të gjendjes nga organet e komunës, me ç’rast komuna ka angazhuar edhe kompani shtesë të cilat në mënyrë vullnetare po ndihmojnë. Po ashtu edhe FSK-ja po u ndihmon ekipeve tona. Kjo është bërë për arsye të trashësisë së borës sidomos në pjesët rurale”, thotë Agim Gashi, Drejtori i Shërbimeve Publike KK Prishtinë
Si pasojë e reshjeve të borës edhe gjatë ditës së enjte janë anuluar edhe disa aktivitete shtetërore. Njëra nga to është anulimi edhe i vizitës se ndermjetesit te BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Kuper në Kosovë.
Ndërkohë që për shkak të motit te keq, deri ditën e hënë është ndërprerë mësimi në të gjitha shkollat e Kosovës.
Top Channel