Shpenzimet e kripura në kushtet e krizës ekonomike nga bordet drejtuese dhe këshillat mbikëqyrës do të jenë në fokusin e grupit “Task Force”, të ngritur me urdhër të Kryeministrit.
Ministria e Financave refuzoi t’u jepte pensionistëve shpërblim me rastin e festave të fundvitit, me pretekstin se nuk kishte fond në dispozicion, për shkak të krizës në buxhet, por nga ana tjetër, arka e shtetit vijon të shlyejë faturat për zyrtarët e lartë, të punësuar njëherësh në disa borde drejtuese apo këshillash, si anëtarë apo kryetarë.
Disa ditë më parë, gazeta “Shqip” trajtoi problemin në fjalë, duke u nisur nga disa të dhëna të marra nga institucionet dhe siguroi një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi shkeljet e zyrtarëve me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Diskutimi mbi faturat e telefonit, dietës dhe karburantit të zyrtarëve që punojnë “part time” në borde drejtuese do të kishte marrë përmasa edhe më të mëdha, në rast se institucionet kompetente do të ishin transparente me të dhënat.
Mbetet mister numri i përfituesve dhe ku janë të shpërndarë, për aq kohë sa nuk ka ligj që i ndalon apo i kufizon në emërimet e shumta, ndërsa çdo veprim është në dorë të shefit të kabinetit në ministri të ndryshme.
Nëse vendi është në krizë dhe se nevojiten masat për shtrëngimin e rripit me shpenzimet, Ministria e Financave do të bënte një veprim normal me kufizimin e mandateve për anëtarët e bordeve dhe se fatura nuk do të ishte e përqendruar në pak duar dhe përfitonim kursime të nevojshme.
Pavarësisht mungesës së shifrave zyrtare, duke iu referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave për numrin e ndërmarrjeve shtetërore, llogaritej që të paktën nga arka e shtetit të dalin në vit rreth 12 milionë euro për nevojat e anëtarëve të bordeve drejtuese dhe këshillave mbikëqyrës, që kryesisht janë zv/ministra, sekretarë ministrash, shefa kabineti dhe drejtorët (ata të preferuarit e shefit).
“Shqip” ka mundur të mësojë se zyrtarë të ndryshëm janë anëtarë njëherësh në disa borde, duke krijuar të ardhura shumë herë më të larta se paga mujore që marrin në shtet, e madje duke lënë pas rrogën e Kryeministrit, i cili nuk përfiton asnjë shpërblim.
Top Channel