Ekonomia në ueb dyfishohet në katër vjet

27/01/2012 13:30

Vlera e ekonomisë botërore në ueb në 20 vendet më të industrializuara të botës do të dyfishohet deri në vitin 2016, ishte vlerësimi i institutit të specializuar “Boston Consulting Group”.

Aktualisht, ky treg ka një vëllim prej 2,3 trilion dollarësh në vit dhe pritet që të rritet deri në 4,2 trilion, ndikuar edhe nga rritja e shpejtë e aksesit të internetit nga telefonia e lëvizshme.

Studimi, i udhëhequr nga “Google”, vlerëson se në katër vitet e ardhshme, numri i personave që do të përdorin internetin do të arrijë në tre miliardë ose sa 50% e popullsisë së botës.

Në 2011-n, 200 milion persona hynë në internet për herë të parë në jetën e tyre, kryesisht si rrjedhojë e përhapjes së madhe të uebit edhe në vendet e botës së tretë.

Rënia në çmimet e “smartphone” dhe përhapja masive e “iPhone” po luajnë gjithashtu një rol parësor në rritjen drastike të numrit të përsonave që përdorin internetin dhe si rrjedhojë, edhe e atyre që kryejnë blerjet e tyre në këtë mënyrë.

Në vitin 2010, ekonomia në internet e 20 vendeve më të industrializuara të botës kishte një vlerë të përbashkët prej 2,3 trilion dollarësh, vlerë më e madhe se ekonomia e Italisë ose Brazilit, por ende vetëm 4,1% e vlerës totale të ekonomisë së 20 vendeve më të zhvilluara në botë.

Me rritjen e parashikuar në 4,2 trilion dollarë, uebi do të vendoset në “ekonominë e katërt” në botë, pas asaj të SHBA-së, Kinës dhe Japonisë, të vetmet shtete që e tejkalojnë.  

Sipas vlerësimit, deri në vitin 2020, rritja mund të jetë e atillë sa që ekonomia online të barazojë vlerën e ekonomisë amerikane, me një Prodhim të Brendshëm Bruto prej 15 trilion dollarësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA