“Boboshtica”, Apeli rrëzon Dishon

27/01/2012 18:55

Gjykata e Apelit la në fuqi urdhër-arrestin për kreun e Omonias, Naum Disho në Korcë, duke rrëzuar kërkesën për shtyrjen e zbatimit deri në 6 muaj.

Avokati kishte kërkuar shtyrjen me arsyetimin se cështja duhej të ndiqej edhe në Gjykatën e Lartë, ndërkohë si argument u paraqit veprimtaria publike e kreut lokal të Omonias, si dhe gjendja e tij shëndetësore. Të dyja këto arsye u kundërshtuan nga prokuroria.

Ndërkohë, ngelet ende e paqartë koha se kur do të ekzekutohet vendimi për arrestimin dhe dërgimin në izolim për të vuajtur dënimin me burgim për një vit që ka dhënë gjykata në të dyja shkallët.

Më herët gjatë muajit, vetëm dy ditë pasi u rikonfirmua dënimi me një vit heqje, Naum Disho u zhduk dhe u shpall në kërkim nga policia.

Policia kufitare informoi se nuk kishte asnjë të dhënë që shtetasi Disho të kishte kaluar kufirin për në Greqi, ose në ndonjë shtet tjetër.

Kreu i organizatës që përfaqëson minoritetin grek në krahinën e Korcës ishte dënuar më parë me një vit burgim nga Gjykata e Faktit, për dhunimin e ndodhur në varret e fshatit Boboshticë.

Ai ishte lënë i lirë pas rikonfirmimit të dënimit nga Apeli, deri në pritje të zbatimit të vendimit të shoqërimit të tij në burg.

Së bashku me Dishon gjykata rikonfirmoi dënimet me gjashtë muaj burg me kusht edhe për dy punëtorët që ngritën kryqin dhe momorialin abuziv për ushtarët grekë, një proces që dëmtoi shumë varre të tjera dhe që nxorri eshtra dhjetëravjecare në sipërfaqe.

Dënimi i Dishos u kundërshtua nga organizata Omonia e qarkut të Korcës dhe PBDNJ-ja, të cilat e vlerësuan kryetarin të pafajshëm dhe e cilësuan procesin si politik.

Ndërsa ministri i Punës dhe Cështjeve Sociale, Spiro Ksera deklaroi se respektonte vendimin e gjykatës në lidhje me dënimin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA