Ekspertët i kërkojnë Bankës Qendrore të shqyrtojë mundësinë për të ulur
më fort normën bazë të interesit. Selami Xhepa, ish-drejtor i
operacioneve në Bankën Qendrore thotë se në kushtet e krizës së
borxheve, banka duhet të jetë më agresive për të mbështetur ekonominë.
“Në kushtet kur Ministria e Financave dhe qeveria kanë hapwrisa mw të kufizuara për manovër, mendoj se roli i Bankës Qendrore bëhet kritik dhe i pazëvendësueshëm. Do të dëshiroja që Banka Qendrore të shihte mundësitë që duke ruajtur stabilitetin financiar të vendit, të shihte mundësitë dhe alternativat në vazhdimësi, për të kruijuar më shumë stimuj monetare në ekonomi”, tha Xhepa.
Që pas viti 2008, ekonomia shqiptare ka ngadalësuar fort ritmet e rritjes. Në 2009 dhe 2010, rritja ra në 3.3 dhe 3.5 për qind, ndërkohë që për vitin 2011, shifra pritet të jetë edhe më e ulët.
“Në thelb uljet e normave të interesit, sigurisht përcjellin sinjalin që konsumi duhet rritur dhe unë besoj se ky është një qëllim jo pak i rëndësishëm sepse kërkesa e konsumatore përbën më shumë se 60 përqind të totalit kërkesë agregate, që do të thotë ndikohet një komponent i rëndësishëm i kërkesës agregate në ekonomi dhe për rrjedhojë pretendohet të ruhen ato ritme rritjeje që janë të planifikuara”, tha Xhepa.
Por ka dhe një arsye tjetër se pse ekspertët mbështesin uljen më tej të normës bazë, që lidhet me financat e qeverisë.
“Normat e interesit ulen nga Banka Qendrore do të thotë se ekziston mundësia për uljen e kostos sw borxhit të qeverisë shqiptare, që do të thotë lehtësohet presioni mbi qeverinë, për shkak të reduktimit të kostove të reduktimit të borxheve, impaktet duken që janë pozitive. Por vetë banka dhe sistemi bankar kanë politikë të pavarur dhe secila bankë e ndërton strategjinë e vet mbi bazën e prioriteteve që ajo ka”, tha Xhepa.
Një ditë më parë Banka e Shqipërisë njoftoi uljen e normës bazë me 0.25 pikë përqindje duke e çuar atë në minimumin historik prej 4.5%.
Top Channel