“Top Story”: Hetimet e Prokurorisë

26/01/2012 00:00

Prokuroria e Përgjithshme dha këtë javë mandatet e para për ngjarjet e 21 janarit, duke krijuar një debat të ri politik në vend. Partia Socialiste, u shpreh e gatshme të bashkëpunojë, por iu përgjigj kërkesës për heqjen e imunitetit të tre deputetëve të saj me kërkesën që hetimet të përfshijnë edhe Kryeministrin Berisha dhe Ministrin e Brendshëm në 21 janar, Lulzim Bashën.

Partia Demokratike është përgjigjur me akuza të ashpra ndaj Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, me hetimet e së cilës që janë konsideruar si të ndikuara politikisht. Megjithatë, demokratët kanë evidentuar faktin se ndërsa nga njëra anë janë përfshirë në hetime tre deputetë socialistë, asnjë zyrtar i demokratëve nuk është fajësuar nga organi i akuzës si përgjegjës drejtëpërsëdrejti apo tërthorazi për ngjarjet tragjike.

Deputetët e PS-së, Erjon Braçe e Lindida Nikolli, deputeti demokrat Mark Marku dhe opinionisti i MAPO-s, Arjan Vasjari përballën opinionet e tyre në “Top Story”, nën drejtimin e Sokol Ballës.

Gjithashtu i ftuar ishte edhe Hil Lushaku, ish-drejtues i Gardës së Republikës, specialist i çështjeve të sigurisë, i cili në gazetën “Shqip” ka kritikuar rolin e organizatorëve dhe rolin e gardës, ashtu si dhe dinamikën që mund të ketë çuar në dhënien e urdhërave për të qëlluar mbi protestuesit.

Duke komentuar vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, Braçe tha se: “Nuk ishim në befasi për kërkesën e heqjes së imunitetit të tre deputetëve, ndonëse edhe befasia në të tilla raste, kur për një vit me radhë hetimi s’ka përfundim, është e natyrshme. Ishim të vetëdijshëm për konkluzionin përfunditmar të hetimit, ndonëse është ende i paplotë, qoftë edhe me deklaratën e Ramës. Ky është hetimi i një organi kushtetues dhe kemi një vit që këtë kërkojmë, hetimin, i cili është penguar deri tani qëllimisht, çka ka sjellë një dëm kolosal çështjes, sepse sa më shumë kalon koha, aq më shumë fshihen faktet, siç tregon edhe manipulimi i armës i komandantit të gardës”.

Megjithatë, Braçe theksoi se: “Ndërsa kemi një të akuzuar të qartë për vrasjen e Faik Myrtajt, për tre të tjerët, ekzekutori nuk është përcaktuar ende, ndaj kërkojmë që hetimet të shkojnë më tej, për të zbuluar kush vrau tre personat e tjerë dhe kush shkaktoi 16 të plagosur me armë, jo me sende, gurë apo nga rrahjet e policisë. Kryeministri të heqë dorë nga presioni dhe tendenca për të penguar drejtësinë, e cila s’është vënë ende në vend. Ju kujtoj që gjykata është faza ku drejtësia në Shqipëri degradon”.

Duke ndërhyrë në bisedë, Marku akuzoi Partinë Socialiste për shkeljen e një parimi kushtetues, siç është prezumimi i pafajsisë, deri në momentin që gjykata shprehet ndryshe. “E para, flasim për të akuzuar dhe jo për fajtorë. Shkelim një prej parimeve më të shenjta kushtetuese nëse e bëjmë dënimin pa e bërë ende gjykata. Megjithatë, dua të them se ndërsa nga njëra anë kemi tre ushtarakë të arrestuar, nga ana tjetër kemi tre deputetë socialistë, pra disbalanca është e qartë”.

“Nuk fola për fajtor, por thashë që drejtësia nuk ka shkuar në vend dhe ajo do të shkojë vetëm kur gjykata të japë një dënim për autorët e vrasjeve”, qartësoi Braçe. ”E dyta, kur fajësova komandantin e gardës, iu referova Kryeprokurores, e cila tha se përtej çdo dyshimi, është qëlluar nga arma e tij dhe me një prej plumbave të shkrepur është vrarë shtetasi Faik Myrtaj. Nëse këta të tre ushtarakë akuzohen për vepra penale, deputetët e Partisë Socialiste akuzohen vetëm për kundravajtje penale, ndaj besoj se s’ka krahasim në këtë mes”.

Një ekspert dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës, Lushaku tha: “Prokuroria, me ndihmën e ekspertëve të FBI-së, nuk mund të jetë në rrugë të gabuar dhe mendoj se përvoja e FBI-së është e qartë dhe s’mund të korrigjohet. Jam i linjës ushtarake dhe i policisë. Përdorimi i armës nga komandanti i gardës është në kundërshtim me ligjin për rrethanat ku po zhvillohej demonstrata, sepse ka ligj për përdorim e armës, siç ka edhe manual për manaxhimin e trazirave, të shkelur që të dy. Nuk jam i mendimit se të paragjykojmë punën e Prokurorisë. Ata që e njohin balistikën, e dinë se kjo është shkencë dhe nuk mund të gabohet, aq më tepër nga FBI. Varianti i plumbave rikoshetë, i plumbave qorr, ndonëse nuk kam në dorë rezultatet e hetimeve, bie tërësisht poshtë me logjikën e plotë të probabilitetit. Për më tepër, janë zbuluar plumba që kanë prekur kangjellat e Kryeministrisë dhe që kanë ngelur në muret përballë, pra në distancë as dy metra nga toka. Kjo bën të qartë se plumbat janë qëlluar në vijën e turmës”.

“Nuk duhet të bëjmë në këtë studio një gabim logjik”, argumentoi Marku. “Zotëria po gjykon me probabilitet, pa eksperizën e FBI-së në dorë. S’duhet të shtijmë fall, se çfarë mund të ketë ndodhur, sidomos pasi hetimi është mbështetur mbi këtë ekspertizë. Ftoj të gjithë personat që të mos flasin pa prova në dorë”, argumentoi Marku.

Nga ana e tij, deputeti Braçe hodhi poshtë logjikën e gjykimit shkak-pasojë. “Hetimi nis nga krimi më i rëndë, që është vrasja dhe jo të tjerat siç kërkojnë demokratët. E drejta e jetës është themelore dhe e patjetërsueshme edhe në kushtetutën tonë, aq sa është hequr dënimi me vdekje”.

“Sidoqoftë, rrethanat që çuan tek vrasjet duhen marrë parasysh. Greva që bënë socialistët përpara Kryeministrisë, për 20 ditë ishte e qetë dhe s’ndodhi absolutisht asgjë… Incidenti ndodhi kur Kryeministria u sulmua dhe kjo duhet të merret parasysh sepse me qindra demonstrata ishin bërë më parë, pa asnjë farë incidenti”, u përgjigj Marku.

Duke argumentuar zhvillimet e fundit, Vasjari analizoi: “Unë nuk kam kurajon e mjaftueshme ta analizoj nga pikëpamja teknike dhe balistike ngjarjen. Së dyti besoj që Prokuroria ka tagrin dhe mundësitë që të arrijë në përfundim. Duhet të diskutojmë politikisht rreth asaj që ndodhi përpara një viti dhe të krijojmë një distancë të mjaftueshme, pasi është e mirë dhe për Prokurorinë në vetvete. Katër viktimat mbeten dhe është një tragjedi që mbetet… Por, përse pas 22 vitesh demokraci kemi katër viktima kjo është e pamundur për t’u kuptuar. Si mund të sulmohet institucioni numër dy i vendit, prandaj këtu nis diskutimi se çfarë ishte 21 janari, një organzim i ç’organizuar, një ekstim turmash apo ishte një regji e përpunuar diku për të prodhuar atë që prodhoi”.

Duke bërë një paralelizëm me shtatorin 1998, Braçe solli disa imazhe të asaj proteste, kur njerëz kishin grabitur tanqet e gardës dhe i kishin drejtuar armë automatike e anti-tankë Kryeministrisë. “Ky ishte një puç, jo ai i 21 janarit”, theksoi Braçe.

Megjithatë, sipas Mark Markut, duke u rikthyer tek vendimi i Prokurorisë, ai mbetet i çuditshëm. “Fajtorët nuk janë ata tre deputetë ndaj të cilëve u është kërkuar heqja e imunitetit. Fajtorët i ke tek deklaratat e kryetarit të opozitës, që përpara se të bëhej mitingu, kur thonte se populli do na tejkalojë dhe parashikoi atë që do të ndodhte. Ku e dinte ai se çfarë do të ndodhte?. Rama krijoi atmosferën për të sulmuar Kryeministrinë dhe nxiti turmën për ta bërë këtë”.

Deputeti i Partisë Demokratike Mark Marku ripërsëriti qendrimin se në ballë të turmës që protestoi para kryeministrisë më 21 janar 2011, ishte një grup i dhunshëm, që sulmoi policinë dhe forcat e tjera të sigurisë, përfshirë këtu Gardën e Republikës.

“Ka patur një grup shumë kompakt, të organizuar, kanë patur edhe armë dhe kanë sulmuar policinë. Ka patur grupe që i kanë organizuar. Përplasja ka ndodhur në momentin kur protestuesit kanë sulmuar policinë. E gjithë ngjarja ka ndodhur nga dëshira e një force politike për të vendosur drejtësi nëpërmjet rrugës”, tha deputeti i PD, Mark Marku.

Ndërkohë, ish-kreu i Gardës së Republikës, Hil Lushaku deklaroi se policia dhe Garda e Republikës kanë patur një organizim të dobët në funksion për të mbrojtur institucionet pa shkaktuar viktima, duke nisur që nga mungesa e materialeve të nevojshme për shpërndarjen e demostratës.

“Garda ka rregulla të përcaktuara jashtë forcave të armatosura. Nuk më bind vendimmarrja, masat e marra. Garda dhe policia nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm duhet të kishin bërë një plan me informacion të sakta, duke patur informacion të saktë se do të sulmohej kryeministria. Vendosja e kordonit të policisë përballë turmës dhe nga pas kangjellat, është një aventurë dhe vendosja e gardës me armë në vijë të parë, edhe kjo është aventurë. Në krye të turmës ka qenë një grup i dhunshëm dhe policia nuk ka qenë e përgatitur. Garda është njësi ruajtje, nuk përdoret kundër manifestimeve”, tha zoti Lushaku.

Nga ana tjetër, deputeti socialist, Erjon Brace ripërsëriti akuzat drejtuar kryeministri Sali Berisha. Për zotin Brace, Sali Berisha është autori i vërtetë i vrasjeve të 21 janarit.

“Në harkun e një viti Berisha ka ndryshuar rrëfimet e tij për 21 janarin, ky është profili i një fajtori, të ndryshosh deklaratat për të njëjtat cështje; ky është profili i një fajtori, e bën përgjegjës fajin e qeverisë së Berishës, shkon paralel me faktin e prishjes së provave të vrasjes së Faik Myrtajk, ashtu sic tha FBI. Kush i vrau këta njerëz? Faji është i kryeministrit, Ministrit të Brensshëm, policisë e gardës. Berisha ndryshoi deklarata, u akuzuam ne në fillim, për gjoja vrasje të ndodhura nga afër, ka patur përpjekje për të fshehur provat, tendenca për të feshur provat të lejon të vësh gishtin mbi fajtorë të dyshuar që është Sali Berisha”, deklaroi deputeti Brace.

Por argumentimi i deputetit socialist u kundërshtua nga deputeti i PD-së, Mark Marku. Marku tha se përkundrazi, fajtori nuk ndryshon deklaratat, duke krijuar, sipas tij, një alibi e duke i qendruar asaj deri në fund.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB