Reshje të dëndura dëbore kanë rënë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë qarkun e Kukësit, në verilindje të vendit.
Trashësia e borës në qytetin e Kukësit ka arritur në 30 cm, ndërsa në zonat rurale mbi 70 centimetra e në ndonjë zonë si në Shishtavec, Arrën, Grykë Cajë dhe Kalis trashësia e borës arrin në mbi një metër.
“Situata sa vjen e përkeqësohet, ndërsa janë të izoluar thuajse të gjitha komunat. Të izoluara plotësisht janë komunat e Zapodit, Shishtavecit, Topojanit, Ujmishtit, Kalisit, Bushtricës, Grykë Cajës, Arrnit, Surrojit dhe Shëmrisë”, tha përgjegjësi i zyrës së emergjencave civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema. Sipas tij, “aktualisht është i pakalueshëm edhe aksi rrugor Kukës- Krumë, ndërsa në segmentin e autostradës Morin- Kukës-Tunel lëvizja e mjeteve është vështirësuar mjaft edhe me zinxhirë, ndërsa nga policia është bllokuar lëvizja e trajlerave”.
Situata po rëndohet në të gjitha komunat, pasi reshjet e dëborës po vazhdojnë pa ndërprerje. Veçanërisht e rënduar është situata në komunën e Shishtavecit, ku si rrjedhojë edhe e erërave trashësia e borës në segmente të veçanta të rrugës ka arritur në mbi një metër e gjysmë. Ndërsa punën e mjeteve borëpastruese, numri i të cilave arrin në 12, po e vështirëson dëbora që vazhdon të bjerë pa ndërprerje. Kjo ka bërë që akset rrugore si Kukës-Qafë Shllak, Kukës-Daj Recc, Kukës- Krumë, etj, të bllokohen tërësisht.
Top Channel