Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë përplasur në distancë gjatë së enjtes.
Fillimisht ka qenë deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili nga foltorja e Kuvendit ka drejtuar disa pyetje për liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dhe më pas ka reaguar ky subjekt politik nëpërmjet sekretarit organizativ, Dardan Molliqaj.
Haxhiu ka kërkuar nga Kurti që të sqarojë për disa takime, siç pretendoi ai, që Kurti ka pasur me disa serbë të komunës së Klinës.
Ai po ashtu ka kërkuar nga Kurti që të shpjegojë se si dhe pse pas lirimit nga burgu ka mbajtur korrespodencë me një femër serbe, e cila e kishte vizituar edhe gjatë kohës sa ka qenë në burg, si dhe i ka kërkuar shpjegim në lidhje me një zarf që ia ka dërguar vajza e njërit nga Ministrave të Milosheviçit.
”Në 25 shtator 2011, autobuzi Beograd-Prishtinë ka sjellë një korresponencë dhe Molliqaj ka qenë në stacionin e autobuzit për ta tërhequr atë zarf. Është në të mirën tuaj që të tregoni përmbajtjen dhe qëllimin e kësaj korrespondence që e ka nisur njëra nga vajzat e Ministrave të Milosheviçit”, u shpreh Haxhiu.
Në anën tjetër, vetëm pak orë pas pyetjve të Haxhiut, që njihet edhe si “Kamishi”, ka pasuar reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Dardan Molliqaj, nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se “në fjalët e Bekim Haxhiut nuk ka asnjë të vërtetë brenda, e kushdo e kupton se përmes këtyre shpifjeve ai kërkon që të heqë vëmendjen prej disa pyetjeve tona mbi takimin e Thaçit me Tadiçin, personin që ditë më parë deklaroi se Kosova është tokë serbe”.
“Qeveria ka zgjedhur të mos përgjigjet, por përkundrazi po përpiqet të hedhë mjegull mbi faktet. Dy takimet Thaçi – Tadiç nuk janë mohuar nga vetë Thaçi apo nga Tadiç, siç ka njoftuar edhe “ËikiLeaks””, shkruan Molliqaj, duke shtuar se “Para se t’ia fillojë me shpifje, në seancën e Kuvendit, për dallim nga Thaçi, Haxhiu e pranoi se këto takime kanë ndodhur”.
Deklaratat e deputetit Haxhiu vijnë pak ditë pasi që lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti kishte ngritur 10 pyetje për kryeministrin Hashim Thaçi, ndër tjerash se: ku dhe kur është takuar me presidentin serb, Boris Tadiq; për çfarë kanë biseduar; dhe çka ka përfituar Kosova nga këto takime”, dhe të njëjtat pyetje Vetëvendosje i ka përsëritur në reagimin e së enjtes.
Top Channel