Greqi, zbardhet vrasja e 16-vjecares shqiptare

26/01/2012 00:00

Policia greke ka zbardhur vrasjen e 16-vjecares Kristina Micani në Selanik, trupi i së cilës u gjet pa jetë së bashku me të dashurin e saj, një17-vjecar grek nga fshatrat muslimane të Ksanthit në Greqinë Lindore.

Ka qenë pikërisht një 18-vjecar rumun me origjinë rome, i cili në bashkëpunim me katër persona të tjerë, kanë vrarë ciftin e adoleshentëve në lagjen Analipsi të zonës Langadha.

Policia greke ka arritur në zbardhjen e këtij krimi pas arrestimit të një 23-vjecari rumun. Ai ka pohuar se një shoku i tij 18-vjecar ka pasur lidhje dashurie me 16-vjecaren nga Shqipëria, e cila më pas e ka lënë atë, për t’u lidhur me djaloshin grek.

Xhelozia i ka errur sytë dhe pasi ka pritur castin, se bashku me katër shokët e tij, të gjithë me origjinë rome, kanë kryer krimin makabër. Disa orë para vrasjes, dy rivalët në dashuri ishin konfrontuar para shtëpisë së dy adoleshentëve në lagjen “Ano Poli” të qytetit.

Në mbremje 18-vjecari rumun, së bashku me miqtë e tij, u kanë zënë pritë tek stacioni i autobusit dhe i kanë qëlluar me një tub hekuri në kokë dhe në trup. Më pas janë larguar për t’u kthyer përsëri. I kanë detyruar të hipin në një automjet dhe i kanë cuar në një zonë të vecuar ku i kanë dhënë fund krimit të tyre, ndërsa më pas i kane hedhur trupat pajetë në një fushë plehrash.

Mjeku ligjor ka pohuar se viktimat janë qëlluar me sëpatë në kokë. Akti barbar është kryer pikërisht natën e Krishtlindjeve.

Policia ka dhënë tashmë urdhër ndërkombëtar arresti për 18-vjecarin rumun, ndërsa kërkohen edhe tre bashkëpunëtorët e tjerë në krim, një thuhet se është vajzë.

Top Channel