Ndërmjetësi i BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper ka anuluar
vizitën e tij në Prishtinë, për shkak të motit të keq me dëborë që ka
paralizuar trafikun.
Lajmin e bën të ditur “RTK”, që citon këshilltarin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, Visa Xani.
Sipas këshilltarit, vizita e të dërguarit të Brukselit do të zhvillohet një herë tjetër, pasi situata meteorologjike të jetë përmirësuar.
“Cooper ka anuluar vizitën në Kosovë për shkak të motit të keq të këtyre ditëve. Kur moti të përmirësohet do të shqyrtohet mundësia se kur kjo vizitë mund të realizohet”, ka deklaruar Xani.
Ndërkohë, media të tjera kosovare raportojnë se Cooper mund të zhvillojë sot një video-konferencë me shefen e delegacionit kosovar në bisedime, Edita Tahirin.
Cooper ishte të mërkurën në Beograd, ku me shefin e delegacionit serb Borko Stefanovic diskutoi mbi mundësinë e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale.
“Vizita e Cooper në Beograd u bë me qëllim që të kapërcehet hendeku ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe që të gjendet një zgjidhje për cështjen e përfaqësimit të Kosovës në nismat rajonale”, deklaroi Stefanovic.
Serbia insiston që Kosova të marrë pjesë nëpër takimet rajonale nën kupolën e Rezolutës 1244, gjë që për palën kosovare është krejtësisht e papranueshme.
Top Channel