Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, akuzoi drejtëpërsëdrejti Kosovën dhe vendet e mëdha që mbështesin pavarësinë e saj për blerjen e njohjeve në vendet e botës së tretë.
Duke folur nga Adis Adeba, Etiopi, Jeremiç çmoi se “mbi vendet afrikane që nuk e kanë njohur ende Kosovën ka shumë presion dhe kërcënime. Shuma të mëdha parash të pista janë vënë në dispozicion të kësaj çështje”.
Shefi i diplomacisë serbe ishte i pranishëm në kryeqytetin etiopian për të marrë pjesë në një samit të Bashkimit Afrikan.
Në një intervistë për agjensinë “Tanjug”, Jeremiç vlerësoi se “vetëm një numër i vogël shtetesh kanë ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj kësaj çështje, ndërsa shumica dërrmuese e vendeve afrikane vazhdojnë të mos e njohin Kosovën”.
Sipas Beogradit, shuma të mëdha parash janë investuar jo vetëm nga Kosova, por edhe nga “sponsorat” e saj, pasi çështja e statusit të paqartë të “provincës” përbën një shqetësim për faktorin ndërkombëtar.
Jeremic u takua gjatë punimeve të Bashkimit Afrikan me 15 përfaqësues shtetesh. Më parë gjatë javës, Gana u bë shteti i 87 në botë që njohu pavarësinë e Kosovës.
Top Channel