Azili, streha e moshës së tretë

26/01/2012 19:10

Disa me dëshirë, të tjerë të detyruar nga kushtet. Për shumë të moshuar, azili është i vetmi vend ku mund të kalojnë vitet e fundit të jetës.

Emisioni ‘Pasdite në Top Channel’ prezantoi disa histori personale të të moshuarve që të detyruar nga kushtet familjare jetojnë në azil me brengën që u ka lënë braktisja nga ana e fëmijëve, por edhe histori të atyre që kanë zgjedhur me dëshirë të kalojnë vitet e fundit të jetës në shtëpinë e të moshuarve.

“Në shtëpinë time kam qenë shumë mirë, por moskomunikimi bëri që të përfundoja këtu. Jetoja me gruan dhe djalin. Ia kalonim shumë mirë, por erdhi një ditë që nuk pati komunikim në familje dhe u detyrova të vija tek shtëpia e pleqve”, thekson një i moshuar.

Më tej, ai shton: “Kam kohë që nuk e takoj djalin tim. Dua ta takoj dhe t’i them disa gjëra ballë për ballë. Më mirë të më kishte varrosur për së gjalli se sa të më kishte braktisur. Nuk ja uroj askujt të përfundojë në azil, jo se këtu na mungon strehimi, ushqimi dhe respekti, por të mungojnë njerëzit e tu dhe njeriu pa njeri është si pema pa kokrra.”

Një tjetër i moshuar tregon se kushtet e tij fizike nuk e lejuan të qëndronte në shtëpi: “Unë kam një djalë e një vajzë. Vajzën e kam këtu të martuar, ndërsa djali është i martuar në Greqi. Do doja të kisha kushtet për të mos ardhur në azil sepse nuk ka njeri që do të vijë këtu, por unë u paralizova dhe gruaja më vdiq. Unë punoja, kisha hapur një dyqan metrazhesh dhe djali më furnizonte me mall.”

“Nuk e prisja që do të vinte dita që do më duhej të vija në azil”, shton i moshuari.

Ndërsa Vasilika është nga të paktët persona që ka zgjedhur azilin me vetëdije të plotë: “Kam 13 muaj që kam ardhur. Kam katër fëmijë: 2 djem e 2 vajza. Vajzat janë të martuara jashtë shtetit dhe nuk mund të më mbanin sepse kanë edhe vjehrrat në shtëpi. Djemtë janë në Shqipëri por kanë kushte shumë të vështira ekonomike dhe unë e zgjodha e ndërgjegjshme azilin.”

“Fëmijët vijnë të më takojnë kur kanë kohë, por edhe ata kanë familjen e tyre dhe nuk do të rrinë me mamanë”, thekson Vasilika.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA