Lëvizja Vetëvendosje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundrështuar mocionin e Partisë Demokratike të Kosovës, përmes të cilit u shfuqizua mocioni i mëhershëm i saj për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti Glauk Konjufca, në një prononcim për KTV. Ai ka thënë se subjekti politik Vetëvendosje është duke përgatitur tekstin dhe deri në fund të javës do ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë së mërkurës Top Channel ka kontaktuar zyrtarë të lëvizjes Vetëvendosje për të mësuar se në cilat pika do ta sulmojnë mocionin e Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga Hashim Thaçi, mirëpo ata nuk kanë dhënë një përgjigje. Zyrtarët kanë saktësuar se, këtë do ta bëjnë brenda pak ditësh.

Mocioni i PDK-së parashikon që Kuvendi të mirëpresë marrëveshjet e arritura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë nga dialogu.

Në bazë të tij, qeverisë i kërkohet të vendosë masat përkatëse reciproke dhe implementimin e konkluzioneve të arritura, si dhe t’i raportojë Kuvendit për këtë cështje.

Miratimi i mocionit në fjalë solli javën e kaluar rënien e atij të Vetëvendosjes, duke bërë që lëvizja të mos bazohej më në një vendim Kuvendi për të mbajtur protestat e saj me moton “Serbia nuk kalon”. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA