Policia serbe ka arrestuar 12 persona pas sulmeve që u kanë bërë huliganët tifozëve kroatë, pas ndeshjes së hendbollit në kampionatin evropian dhe fitores së kroatëve kundër Francës.
Rreth 40 huliganë serbë me shkopinj dhe sëpata kanë sulmuar kroatët në qytetin e Novi Sadit dhe Rumës.
Policia është duke kërkuar edhe të dyshuarit e tjerë dhe duke bërë identifikimin e tyre dhe është në kontakt të vazhdueshëm me shtetin kroat.
Shefi i policisë, Millorad Veljovic ka kërkuar falje lidhur me këtë incident dhe ka thënë se do të bëjë gjithçka për zbardhjen e rastit.
Megjithatë, në Ruma është plagosur me thikë edhe një kroat dhe huliganët kanë djegur një furgon me targa të Kroacisë. Ministria e Jashtme kroate i ka dërguar një protestë ambasadës së Serbisë në Zagreb lidhur me incidentin.
Në shumë faqe interneti serbët kanë komentuar se është e padurueshme që kroatët vijnë me flamujt e tyre dhe këndojnë këngë kroate. Ky është sulmi i dytë ndaj kroatëve gjatë këtij kampionati.
Top Channel