Zyra e komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle mbështet një hetim të plotë dhe të pavarur të prokurorisë për 21 janarin.
Në një intervistë për Top Channel, zëdhënësi i komisionerit Fyle, Peter Stano, thotë se është shume e rëndësishme, që Prokuroria të mos punojë nën presionin e politikës.
Top Channel: Si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Shqipëri për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit ?
Peter Stano: Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian e kanë përsëritur disa herë se, në lidhje me ngjarjet fatkeqe të një viti më parë, është e nevojshme të bëhet gjithçka është e mundur për të hedhur dritë mbi çfarë ndodhi, të thuhet qartë cfarë ndodhi dhe që kjo ngjarje të hetohet. Në mënyrë që të ketë një hetim gjithpërfshirës dhe të pavarur, dhe kjo është shumë thelbësore dhe shumë e rëndësishme, mbi këtë duhet të punojnë autoritetet e duhura shtetërore, që do të thotë zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe që ky hetim gjithpërfshirës dhe i pavarur të jetë i besueshëm, është e nevojshme që ky autoritet, përkatësisht zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, të punojë i lirë nga ndërhyrjet politike”.
Top Channel: A pajtoheni me akuzat që erdhën nga zyra e Kryeministrit, se Prokurorja e Përgjithshme është e njëanshme në këtë hetim ?
Peter Stano: “Unë vetëm mund të përsëris që këto ngjarje duhet të hetohen nga autoritetet e duhura plotësisht, në mënyrë gjithpërfshirëse e me pavarësi. Dhe është e rëndësishme që autoritetet që po merren me hetimin e kësaj çështjeje të punojnë të lirë nga çdo ndërhyrje politike. Kjo është shumë e rëndësishme. Që kjo punë të jetë gjithëpërfshirëse dhe e besueshme, nevojitet që puna e zyrës së Prokurorisë të jetë e lirë nga çfarëdo lloj ndërhyrje politike”.
Top Channel: Duke patur parasysh aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, si e shihni mbështetjen zyrtare të SHBA-ve në këtë hetim.
Peter Stano: “Sigurisht që ne nuk komentojmë mbi mbështetjen individuale të vendeve individuale. Por në përgjithësi ne e shohim si një zhvillim pozitiv përpjekjen e gjyqësorit për të hetuar dhe për t’u marrë jo vetëm me vrasjet por edhe me nxitjen e dhunës gjatë ngjarjeve të vitit të kaluar. Ne e kemi thënë gjatë gjithë kohës, se nëse kanë në dorë një ekspertizë të huaj të besueshme, atëherë kjo është e dobishme dhe e këshillueshme që një ekspertizë e tillë të përdoret.”
Top Channel: Sa e rëndësishme është për rrugën europiane të Shqipërisë vënia e drejtësisë, jo vetëm për këtë ngjarje tragjike, por edhe për shpërthimin e Gërdecit, ku 26 persona gjetën vdekjen katër vjetë më parë.
Peter Stano: “Pa qenë i aftë të komentoj për çdo incident të veçantë, ne sigurisht theksojmë rëndësinë e hetimit të çdo ngjarjeje. Unë mund t’ju them se ajo që ka rëndësi për BE-në është rendi ligjor dhe gjyqësori. Këto janë fusha shumë të rëndësishme dhe rendi ligjor është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Europian dhe Komisionin Europian. Dhe sigurisht që Komisioni po ndjek çdo përpjekje, çdo hap dhe çdo reformë në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, pasi sundimi i ligjit është një parim shumë i rëndësishëm për BE-në, veçanërisht gjatë procesit të integrimit. Kjo sepse gjithçka varet apo është e lidhur me parimet dhe vlerat europiane dhe është shumë e rëndësishme të garantohet se liritë dhe të drejtat e qytetarëve bazohen në standartet europiane. Është e rëndësishme që rendi ligjor, në çdo shtet që aspiron anëtarësimin, të arrijë në nivelet e standarteve të Bashkimit Europian. Pjesë e kësaj është një gjyqësor i pavarur, ashtu siç është një pjesë tjetër edhe hetimi i çdo ngjarjeje që përfshin shkeljen e të drejtave të qytetarëve, kur njerëzit lëndohen apo kur njerëzit vriten”.
Intervistoi ARTA TOZAJ
Top Channel