Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e së martës qytetin e Vlorës, ku i është vënë flaka makinës së kryetarit të bashkisë, Shpëtim Gjika.
Sipas raportimeve të policisë lokale, makina personale e kryebashkiakut ishte parkuar pranë banesës së tij dhe djegia e saj ndodhi në orët e para të mëngjesit.
Për momentin nuk dihet se cilat janë motivet dhe autorët e aktit kriminal, por mbi ngjarjen po hetojnë agjentët e anti-krimit, të cilët po marrin persona të ndryshëm në pyetje.
Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë kryer ekspertizat shkencore në tentativë për të gjetur ndonjë gjurmë të autorit ose autorëve të djegies së veturës.
Shpëtim Gjika drejton bashkinë e qytetit bregdetar prej dy mandatesh nën siglën e Partisë Socialiste. Në zgjedhjet e fundit lokale ai fitoi bindshëm ndaj rivalit demokrat Ardian Kollozi.
Top Channel