Me 54 vota pro dhe 6 kundër, Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian miratoi projekt-rezolutën mbi Kosovën, e cila i kalon seancës plenare në muajin mars.

Përpiluar nga raportuesja Ulrike Lunacek, dokumenti bën thirrje për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së që nuk e njohin ende pavarësinë e saj, kritikon misionin EULEX për punën e pamjaftueshme në fushën e sundimit të ligjit, dënon parregullësitë në zgjedhje, duke kërkuar vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve, qorton Lëvizjen Vetëvendosje dhe mirëpret nisjen e dialogut që do të mundësoje heqjen e regjimit të vizave për qytetarët.

“Pati parregullësi të fuqishme në zgjedhjet e fundit parlamentare. Me disa kolegë ne ishim atje si vëzhgues, ndaj bëj thirrje në këtë raport për dënimin e duhur për ata që kryen mashtrime, sidomos për zyrtarët e nivel lokal, sepse duhet treguar ndaj qytetarëve të Kosovës së një gjë e tillë nuk do të ndodhë përsëri në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Ulrike Lunacek, Raportuese për Kosovën në PE.

“Demonstratat e organizuara nga Albin Kurti dhe partia e tij ishin një surprizë negative. Është e pabesueshme. Ne po shpenzonim javë e muaj të tërë për të bindur Beogradin që të lejonte lëvizjen e lirë të njerëzve, që të kapërcente mosmarrëveshjet në veri të Kosovës, e papritmas një gjë e tillë ndodhi në anën kosovare. Kjo ilustron se sjelljet populiste janë ekstremisht të rrezikshme”, tha Jelko Kacin, Raportues për Serbinë në PE.

“Pjesëmarrja e ardhshme e Serbisë në zgjerimin e BE-së varet nga marrëdhënia Serbi-Kosovë. Ndaj unë mendoj se detyrimi ynë sot është të përmirësojmë marrëdhënien mes Serbisë e Kosovës. Është shumë e rëndësishme kjo, pasi ne nuk mund të ecim më tej me këtë rajon pa një bashkëpunim më të mirë”, deklaroi Jerzy Buzek, ish-President i PE.

“Raporti nuk përmend planin për referendumin serb në veri të Kosovës. Ne duhet të shprehim pozicionin tonë mbi këtë cështje, sepse mendoj se në disa aspekte, një gjë e tillë do të komplikonte situatën në këtë pjesë të vendit. Me kënaqësi vërej se politikanët e Serbisë nuk i përkrahin të tilla hapa, dhe shpresoj që gradualisht ata do të heqin dorë nga mbështetja e strukturave paralele të institucioneve në veri. Test kyc për këtë do të përbëjnë zgjedhjet e majit këtë vit. Ndërsa Eulex dhe puna e tij duhet rivlerësuar në mënyrë të duhur, sipas rezultateve të arritura gjatë kësaj kohe”, thotë Eduard Kukan, kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE.

Eurodeputetët miratuan dhe draft-rezolutën ndaj Malit të Zi si dhe atë për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, ku përvec zgjidhjes së cështjes së emrit me Greqinë, ngrihet shqetësimi për sistemin e drejtësisë dhe korrupsionin, si dhe për mosrepektimin e lirisë së medias dhe të drejtave të minoriteteve.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA