Eurodeputeti Eduard Kukan ka deklaruar se komuniteti ndërkombëtar po i ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në një intervistë për “RTK”, Kukan ka nënvizuar se klasa politike kosovare duhet të veprojë me përgjegjësi dhe jo me përplasje të ashpra, në mënyrë që Kosovës të mos i dëmtohen aspiratat e saj.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që zhvillimet e brendshme politike në Kosovë të bëhen në mënyrë demokratike sepse gjithçka po përcillet shumë afër prej institucioneve të Bashkimit Evropian. Pra, zhvillimet në Kosovë kanë ndikim real në aspiratat e saj për të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Kukan.

Eurodeputeti ka vlerësuar se bllokimi i zgjatur i rrugëve në veri të Kosovës nga strukturat paralele serbe ka dëmtuar imazhin e Kosovës, ndërkohë që ka cilësuar edhe si të papranueshme protestat e lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, protestat duhet të organizohen konform rregullave që mbizotërojnë në një shoqëri demokratike dhe jo në mënyrë agresive.

“E drejta për të protestuar, apo edhe e drejta për greva është mjet legal dhe politik në çdo shoqëri demokratike. Është domosdoshmëri që të ketë rregulla të përcaktuara qartë dhe legjislacion përkatës për protestat dhe cilido që proteston duhet t’u përmbahet këtyre rregullave”, është shprehur Kukan.

Në fund, eurodeputeti i njohur për publikun shqiptar ka porostiur klasën politike kosovare dhe qytetarët e saj që të përqendrohen në realizimin e ambicjeve evropiane të Kosovës.

“Sjellja në mënyrë të përgjegjshme dhe forcimi i institucioneve demokratike janë rruga e vetme për të ndihmuar popullin e Kosovës dhe të ardhmen e tij”, ka shtuar Kukan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA