“Po pres me padurimin fillimin e sezonit të Formulës 1.” Këto nuk janë fjalët e një piloti të ri që pret debutimin e tij me ankth, por të 43-vjeçarit Michael Schumacher, i cili është gati për fillimin e një tjetër botërori në karrierën e tij të gjatë.
Kampionati do të nisë më 18 mars me garën e Australisë dhe piloti veteran i Mercedes GP ka si synim që të “fshijë” dy sezonet e fundit që për të kanë qenë zhgënjyese. Në vitin 2010 u rendit i teti në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa në vitin 2011 zbriti në vendin e nëntë.
Tashmë, shtatë herë kampioni i botës kërkon të rikthehet në majat e Formulës 1: “Është shumë shpejt për të bërë parashikime. Në vitet e kaluara kemi mësuar se gjithçka do e tregojnë rezultatet në pistë. Madje nuk mund të bëhen parashikime as pasi të kenë mbaruar testimet në shkurt.”
“Dua të pres garat e para për të krijuar një ide mbi sezonin që do më presë, por mund të them që po punojmë në maksimum dhe të gjithë po japim më të mirën tonë. Personalisht, po pres me padurim fillimin e sezonit”, shton Schumacher nga faqja e tij zyrtare në internet.
Top Channel