
Fabio Capello nuk është i sigurtë për të ardhmen e tij. Trajneri italian, i ftuar në ceremoninë e ndarjes së cmimeve për futbollistin më të mirë të Serisë A për vitin 2011, theksoi se do të mendojë për këtë cështje në përfundim të Euro 2012.
“Përpara se të marr një vendim përfundimtar, do të shoh ecurinë e Anglisë gjatë kampionatit europian. Nuk e di nëse do të kthehem në Itali si komentator televiziv apo do të kem rol trajneri, megjithatë në këtë moment ndjehem shumë mirë në Angli”, tha Capello.
Tekniku italian bëri më pas një vlerësim për Euro 2012. Ai tha se skuadra që është për t’u mundur në këtë kompeticion është Spanja, që bazon lojën e saj tek futbollistët e Barcelonës.
“Në miqësoren që luajtëm me Spanjën më bëri përshtypje mënyra se si e qarkullonte topin kjo skuadër. Të gjithë po tentojnë ta ndalin këtë skuadër, këtë mënyrë loje, përfshirë edhe teknikun e Realit, Jose Mourinho, por askush nuk e ka gjetur një zgjidhje”, deklaroi don Fabio.
Top Channel