BE paralajmëron sërish Hungarinë

24/01/2012 19:05

Kryetari i Parlamentit Europian, Martin Schulz, lëshoi një paralajmërim të ri ndaj Kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, të cilit i tha se nuk duhet të mendojë që liderat e BE-së janë “budallenj” dhe se mund të mashtrohen lehtë.

Ditën e martë, Orban ndodhej në Bruksel, në një takim me zyrtarët kryesorë të BE-së, në përpjekje për të gjetur një marrëveshje për të zgjidhur konfliktin që ka lindur me BE-në pas miratimit të një kushtetute të re konfliktuale.

Javën e shkuar, Komisioni Europian i dha një muaj kohë Budapestit përpara se të nisë një procedurë ligjore, për të ndryshuar ato pjesë të kushtetutës që dëmtojnë pavarësinë e Bankës Qëndore dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Sipas Schulz, Orban nuk duhet të mendojë se “mund t’ia hedhë duke thënë një gjë tjetër në Bruksel dhe një gjë tjetër në Budapest”.

Aktualisht, Hungaria përballet me një inflacion galopant dhe rënie ekonomike, që kanë rritur në 9% vlerën e huamarrjes për vendin e Europës Qëndore.

Gjithashtu, Budapesti është kërcënuar me sanksione të ashpra ekonomike, nëse vazhdon të dështojë në tentativat e tij për të mbajtur defiçitin vjetor nën 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA