Tiranë-Elbasan, tuneli hapet për 100-vjetorin e Pavarësisë

23/01/2012 08:00

Tuneli i Kërrabës do ta shikojë dritën në nëntor të këtij viti, që përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë. Tiranë-Elbasan, vepra rrugore më e madhe, pas asaj të Durrës-Kukës, po ecën me ritme tepër të shpejta, madje duke tejkaluar parashikimet e kontratës.

Firma greke “Aktor” ka avancuar deri në 41% për ndërtimin e tunelit të Kërrabës, me gjatësi 4.9 km, për të cilën qeveria shqiptare po shpenzon rreth 85 milionë euro. Skënder Çota, nëndrejtor i përgjithshëm i Rrugëve, tregon për “Shqip” disa detaje të projektit, ku nuk mungojnë risitë për një menaxhim sa më efektiv.

“Tuneli ka parametra të standardeve më të larta europiane dhe gjithashtu jemi duke parashikuar që ta plotësojmë edhe me elemente të tjera, siç është lyerja me bojë fosforeshente, me synim kursimin e energjisë elektrike dhe reduktimin e kostove të operimit”, thotë numri dy i Rrugëve. Kompania greke është financuar për të gjitha punimet e kryera dhe shuma e financimit deri tani është 25 milionë USD, përfshi edhe pagesat e TVSH-së.

Sipas n/drejtorit Çota, gjatësia e tunelit ka pësuar një ndryshim të vogël. “Është zgjatur me rreth 250 m secili tub, pra pasi është ulur kuota e hyrjes, gjë e cila sjell një rritje jo më shumë se 2% të kostos, por duke ndikuar në përmirësimin e profilit gjatësor të rrugës në hyrje të tunelit, me reduktim nga 6.86% në 6%. Ky lloj modifikimi ka sjellë ulje të kostos së segmentit të parë në rreth 10 milionë dollarë”, thotë Çota.

E thënë ndryshe, gjatësia e tunelit ka pësuar ndryshime, ku nga 4.5 km është bërë me 4.9 km, duke ndikuar në kosto rreth 2% më shumë, por në tërësi nuk e rrit vlerën e investimit, pasi është ndërhyrë në segmentin para tunelit, duke reduktuar lartësinë e urës dhe duke kompensuar shpenzimet e tepërta. “Pavarësisht rritjes e gjatësisë së tunelit me rreth 10%, koha e ndërtimit të tij duke parë edhe ritmin e punimeve, do të jetë ajo e afatit fillestar të kontratës, pra në muajin nëntor të vitit 2012”, tregon n/drejtori i Rrugëve.

Kostot e rrugës

Në tërësi, punimet janë realizuar në masën 28 për qind. Autostrada është e ndarë në tri segmente, Lote, ku në mes qëndron tuneli, punimet e të cilit kanë nisur me kohë, kurse dy pjesët e tjera ndodhen në fazën e tenderit dhe fituesit (kontratat) do të shpallen (lidhen) në muajin shkurt. Rrugët e ndara nga tuneli do të ndërtohen me fondet e bankave islamike, të cilat menaxhojnë kushtet e tenderit. “Për dy segmentet e tjera ka ardhur miratimi nga Banka Islamike dhe brenda 15-ditëshit të parë të muajit shkurt pritet të firmosen kontratat”, tregon Çota. Aspekt tjetër i rëndësishëm është kostoja e projektit, e cila mund të pësojë ulje, me rreth 127 milionë dollarë. “Publiciteti dhe rëndësia që i ka dhënë qeveria kësaj rruge ka bërë që mjaft kompani të kenë interes për këtë investim, duke e rritur shumë konkurrencën. Ndikim mund të ketë qenë edhe pamundësia e kompanive të mëdha të rajonit për të pasur punë në vendet e tyre. Nga 407 milionë dollarë që ishte vlera fillestare e projektit, mendojmë ta mbyllim me 280 milionë dollarë”, thotë zyrtari i lartë i Rrugëve, duke shtuar se ulja e kostos nuk do të shkaktojë reduktim të cilësisë së punimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA