Kamber Veliaj – A janë sot shqiptarët më të qetë se një vit më parë? Megjithëse janë
sondazhet ato që mund të japin një përgjigje të tillë, mund të tentojmë
të “matim” nivelin e qetësisë, duke krahasuar ngjarjet që i paraprinë 21
janarit të vitit 2011 dhe ato që i paraprinë 21 janarit të sivjetshëm.
Për t’i hyrë kësaj analize, do të duhet medoemos të marrim për të mirëqenë perceptimin që ofron opozita, duke e konsideruar 21 janarin 2011 si një ditë të demonstrimit të dëshpërimit të shqiptarëve.
* * *
Në janarin e vitit 2011, opozita ishte jashtë Parlamentit dhe ngulte këmbë në faktin se zgjedhjet e vitit 2009 ishin të manipuluara. Mazhoranca sulmonte çdo ditë pa kursyer histori personale e familjare, madje duke rilegjitimuar biografinë si element në vlerësimin e personalitetit. Gjithsesi, kur kishte kaluar një vit e gjysmë nga zgjedhjet dhe çështja e hapjes së kutive ishte tejkaluar, situata nuk dukej aspak shpërthyese. Madje, palët kishin pranuar të nisnin bisedime dhe gazetat e ditëve të para të vitit 2011 ishin fokusuar te negociatat dhe negociatorët nga Brukseli.
Më 11 janar, videoja ku shfaqej Ilir Meta me bllok në dorë, duke i kërkuar Dritan Priftit të mbaronte disa punë, i krijoi opozitës kushtet për të nxjerrë njerëzit në shesh.
Seanca e fundit plenare përpara 21 janarit shënoi edhe kulmin e përplasjes verbale mes pozitës dhe opozitës. Socialistët organizuan “protestë” brenda sallës së Kuvendit dhe Berisha e humbi kontrollin.
Më 21 janar, tensioni që ishte shfaqur dendur në deklarata politikanësh u zbraz në bulevardin kryesor të Tiranës, nga njëra palë me gurë dhe nga tjetra me plumba.
* * *
Këtë janar opozita ka hyrë në Parlament, është zgjedhur me konsensus Avokati i Popullit dhe ekziston një marrëveshje për realizimin me bashkëpunim të detyrave të integrimit. Debati për votën e lirë nuk është më aktiv, jo sepse vota u çlirua, por sepse u faktua vjedhja e saj.
Më 16 janar del sërish në skenë videoja “Meta-Prifti”. Gjykata e Lartë vendos ta konsiderojë inekzistente atë bisedë mes zyrtarësh të lartë që shqiptarët e panë dhe e dëgjuan përpara një viti. Ilir Meta i pafajshëm nis tashmë një sulm dhe flet për “fitore të ligjit mbi krimin”. Opozita e konsideron “vdekje të drejtësisë” shpalljen e pafajësisë për Metën. Marrëveshja për reformat e integrimit pezullohet dhe Parlamenti rikthehet në ngërç.
Në media nisin të zënë vend viktimat e 21 janarit të shkuar. Gra e fëmijë që të ngjethin mishtë me dhimbjen që shprehin. Vëllai i Hekuran Dedës tregon se i ofruan para dhe “larje gjaku” në këmbim të pritjes së Berishës për qokë.
Një vit pas vrasjes së 4 njerëzve të pafajshëm, vetëm vrasësi që u filmua nga kamerat e pavarura ndodhet pas hekurave. Të tjerët janë të lirë dhe Kryeministri Berisha kërcënon përsëri në prag të përvjetorit.
* * *
Lë të ndalemi për një moment e të gjykojmë: A janë më të dëshpëruar njerëzit kur kanë dyshime për vjedhjen e votës, apo kur e dinë me siguri që u është vjedhur?
A janë më të irrituar njerëzit kur shohin se si bëjnë pazare ministrat e tyre, apo kur u thonë se ajo që panë nuk ishte ashtu siç dukej?
A janë më të qetë njerëzit kur kërcënohen se do të marrin “përgjigjen më të ashpër”, apo kur janë vrarë në mes të ditës dhe askush nuk është dënuar?
A janë njerëzit më shpresëplotë kur mendojnë se nuk po i afrohen sa duhet Europës, apo kur Europa ua ka përplasur derën në fytyrë?
* * *
Për mendimin tim, pas rënies së firmave piramidale nuk ka pasur ndonjëherë më shumë arsye se këtë janar për të nxjerrë njerëzit në shesh. Jo për të rrëzuar qeverinë, po për t’i thënë asaj dhe botës se sa shumë pakënaqësi, sa shumë zhgënjim e sa shumë dëshpërim ka në këtë vend. Sepse janari i sivjetshëm i gjen njerëzit edhe me çmime më të larta se një vit më parë. Sepse sot ka më pak socialistë të punësuar në administratë publike se një vit më parë. Sepse sivjet vendi nuk siguron dot as furnizimin e rregullt me energji elektrike. Ka shumë e shumë gjëra që sot shkojnë edhe më keq se një vit më parë. Por socialistët që kanë mandatin e përfaqësimit të gjysmës së shqiptarëve u kujdesën që të shtunën të mblidhnin sa më pak njerëz në shesh dhe të mvishnin me poezi çdo deklaratë që shprehte dëshpërim.
* * *
Me qetësinë e 21 janarit të sivjetshëm, opozita tregoi se ka fuqinë të menaxhojë dëshpërimin e njerëzve, ose të paktën ta manipulojë atë. A u keqmenaxhua dëshpërimi më 21 janar 2011, apo kjo ndodhi sivjet? Këtë nuk e thonë dot as sondazhet.
Ndoshta ata që kanë fuqinë të menaxhojnë dëshpërimin besojnë se përtej dilemës: fund me dhimbje, apo dhimbje pa fund, ekziston një opsion i tretë – fundi pa dhimbje. Por nëse kjo do të thotë që, ashtu si pas vitit 1997, gjithçkaje që ka ndodhur deri më sot t’i vihet kapak, mendoj se nuk jam i vetmi që do të preferoja versionin e dytë.
Sepse, nëse në vitin 2013 do të kemi ndërrim pushteti (siç shpreson opozita) si ai i vitit 2005, kur të gjithë politikanët e zyrtarët vazhduan të jetonin të lumtur e të gëzuar, ata shqiptarë të ndershëm që kanë mbetur do të duhet të kuptojnë se ndershmëria nuk është gjë tjetër veçse justifikim për dështakët.
Top Channel