Katër ushtarë francezë të NATO-s në Afganistan mbetën të vdekur, pasi një ushtar i Ushtrisë Kombëtare Afgane hapi zjarr ndaj tyre.
16 anëtarë të tjerë të trupave franceze mbetën të plagosur nga sulmi i “kolegut” dhe për disa prej tyre, siç raporton “Le Monde”, nuk ka garanci se do t’i mbijetojnë plagëve.
Ngjarja ndodhi në Tagab, krahina e Kapisës, në veri të kryeqytetit Kabul. Në muajin dhjetor, një sulm i ngjashëm i kishte marrë jetën dy ushtarëve francezë.
Në një reagim të menjëhershëm të “Elysse”, shkruhej se: “Kjo është një ditë tragjike për ushtrinë, për Francën dhe për NATO-n”.
Vetëm pak orë pas sulmit Franca vendosi ndërprerjen e ndihmës ushtarake në Afganistan pas vrasjes së 4 ushtarëve. Vendimi u njoftua nga presidenti Sarkozi, i cili theksoi se do të merret në konsideratë edhe vendimi për tërheqjen e parakohshme të trupave”.
Prej kohësh, militantët talebanë janë përpjekur të infiltrojnë ekstremistë në radhët e ushtrisë afgane, e cila stërvitet dhe pajiset prej forcave të NATO-s.
Talebanët vlerësojnë aktin e ushtarit afgan
Talebanët kanë lavdëruar më vonë sulmin e kryer nga ushtari afgan ndaj grupit të ushtarëve francezë, në provincën e Kapisës.
“Një ushtar afgan i ndërgjegjshëm ka vrarë rreth orës 11 katër ushtarakë francezë të nivelit të lartë”, thuhet në një komunikatë të guerrilasve, e cila vijon:
“Gjithashtu, ushtari ka plagosur 17 të tjerë në zonën ku vepronte një bazë e përbashkët franko-afgane në Laki Tizha, në provincën e Kapisës”.
Top Channel