Familja Berisha nëpër gjyqe

20/01/2012 00:00

E gjithë familja e kryeministrit Sali Berisha, përvec bashkëshortes, gjatë ditës së premte u përfshi në dy procese gjyqësore në thelb të të cilëve ishin akuzat për shpifje.

Fillimisht në Gjykatën e Faktit në Tiranë është zhvilluar seanca e tretë gjyqësore nga ku fëmijët e kryeministrit, Shkëlzen dhe Argita Berisha i kërkojnë deputetit socialist Saimir Tahiri një dëmshpërblim prej 8 milion lekësh.

Paditësit Shkëlzen dhe Argita Berisha kanë ngritur pretendimin e “shkaktimit të një dëmi moral  që qendron në turbullimin e padrejtë të gjëndjes shpirtërore të tyre që kanë përjetuar si pasojë e faktit të paligjshëm, deklaratave të pavërteta shpifëse dhe fyese” gjatë një emisioni televiziv vitin e shkuar.

Në përfundim të seancës gjyqësore deputeti Tahiri dha këtë prononcim për  mediat.

“Në gjykatë u njoha me aktet dhe provat e paraqitura nga fëmijët e kryeministrit dhe nuk isha fare i habitur që si prova sollën vetëm certifikatën familjare për të treguar që janë fëmijët e kryeministrit dhe patjetër që në seancën gjyqësore do të parashtroj argumentet e mia pse ende sot vazhdoj mendoj që fëmijët e kryeministrit, dhe kryeministri vetë janë të përfshirë në korrupsion. Këtë kam thënë, këtë do them edhe në seancë gjyqësore ku refuzova dhe kërkesën për pajtim. E keni parë të gjithë, llumi korruptiv i qeverisë ka dalë në sipërfaqe dhe nuk ka më njeri që e dyshon këtë”, deklaroi zoti Tahiri.

Në një tjetër proces gjyqësor, kësaj here në Gjykatën e Lartë është pushuar cështja në ngarkim të kryeministrit Berisha i cili akuzohej për shpifje nga deputeti socialist, Dashamir Peza.

Aktpadia e deputetit Peza ishte ngritur pas  deklarimeve të e kryeministrit Berisha nga foltorja e  parlamentit më 26 Nëntor 2009.

“Cili është ai burrë i cili ngrihet nga shtrati i të shoqes në kullën e Myslym Pezës dhe shkon në shtratin e Dashit dhe e detyron të largohet natën e lemeritur?!”, do të deklaronte Berisha atëherë.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në vendimin për këtë cështje, shprehet se “fjalimi i kryeministrit Berisha në parlament nuk përbën vepër penale, pavarësisht akuzave të shumta, të cilat sipas deputetit Dashamir Peza janë shpifje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB